Lidhje

Përkujtohen viktimat e Beslanit në përfundim të 40 ditëve të zisë - 2004-10-12


Banorët në Rusinë Jugore po përkujtojnë viktimat e sulmit të shtatorit ndaj një shkolle në Beslan, në përfundim të 40 ditëve të zisë.

Ata vendosën lule dhe vajtuan sot në shkollën ku më shumë se 330 persona, shumë prej të cilëve fëmijë, u vranë pasi u mbajtën peng disa ditë nga terroristët.

Kriza e pengjeve mori fund më 3 shtator mes shkëmbimit të zjarrit dhe shpërthimeve.

Në një shërbesë përkujtimore sot në Moskë, kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Alexy u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave.

Periudha e zisë ortodokse mbyllet në atmosferën e frikës nga dhuna e mundshme etnike për hakmarrje, pasi zyrtarët rusë kanë thënë se mes autorëve të sulmit mund të ishin edhe luftëtarë të Ingushetisë.

Zona ku u krye sulmi në shkollë, Osetia e Veriut është kryesisht ortodokse, ndërsa në Ingushetinë fqinje mbizotërojnë myslimanët.

XS
SM
MD
LG