Lidhje

Rifillon gjyqi i Milosheviçit - 2004-10-12


Ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç doli përsëri në gjyq sot, pas një ndërprerjeje një mujore të procesit me kërkesë të avokatëve të tij mbrojtës të cilët kërkuan më shumë kohë për t’u përgatitur. Avokatët mbrojtës, të caktuar nga gjykata, pasi zoti Millosheviç kërkon të vetëmbrohet, paraqitën sot dëshmitarin e katërt, një gazetar gjerman, i cili tha se shqiptarët në Kosovë i provokuan forcat serbe që të përdornin dhunë të tepruar gjatë konfliktit.

Avokatët e zotit Millosheviç, e kaluan muajin e kaluar duke u përpjekur të bindnin dëshmitarët të shkonin për të dëshmuar në Hagë. Mbi 250 prej tyre thanë se do të pranonin të dëshmonin vetëm në se zoti Millosheviç, i cili nuk i pranon avokatët e caktuar nga gjykata dhe nuk ka pranuar ta njohë juridiksionin e gjykatës, do të lejohej të vetëmbrohej. Avokatët e tij e kanë apeluar vendimin për caktimin e tyre në këtë rol, por shqyrtimi i apelit ende nuk ka përfunduar.

Megjithëse nuk pati ndonjë përparim sot në gjykatë nga pala mbrojtëse, korrespondenti gjerman Franz Josef Hutch pranoi të jepte dëshminë e tij. Ish oficeri gjerman i kthyer në gazetar, ka qënë në Kosovë si korrespondent në vitet 1998 - 1999. Gjatë kësaj kohe Natoja kreu fushatën e saj të bombardimeve për të ndërprerë atë që prokurorët e cilësojnë si fushatë e paligjshsme e Millosheviçit kundër shqiptarëve, si rezultat i së cilës u vranë qindra persona dhe u dëbuan 800 mijë të tjerë. Ish udhëheqësi jugosllav mbrohet duke thënë se ai po zhvillonte një luftë legjitime kundër terroristëve.

Dëshmitari Hutsch, gjatë fjalës së tij duket se e mbrojti disi argumentin e të pandehurit. I vetë-cilësuar si gazetar i atashuar pranë UÇK-së, ai tha se këshilltarë të ushtrisë amerikane rekrutuar mercenarë nga luftëtarët myslimanë të Bosnjes për të shërbyer si oficerë në Kosovë. Zoti Hutcsh po ashtu tha se UÇK-ja, përdori taktika të sulmeve të papritura kundër forcave serbe prë t’i provokuar ato që të përgjigjeshin me forcë dhe kjo sipas tij tërhoqi Naton në konflikt. Ai tha se UÇK-ja është marrë me trafik femrash dhe droge për të siguruar para për të blerë armatime. Dhe sipas dëshmitarit Hutsch, ata detyruan banorë civilë të qëndronin në fshatrat që po sulmoheshin nga forcat serbe. “Gjerat po inskenoheshin. UÇK-ja duket se merte këshilla nga njerëz të aftë për marrëdhënie publike. Kishte situata ku refugjatët mbaheshin në pyll derisa gazetarët perëndimorë të vizitonin kampet e tyre.”

Zoti Hutsch tha se ai kishte intervistuar gjeneralin Ratko Mlladiç në vitin 1996, vitin kur u krye masakra në Srebrenicë, gjatë së cilës mbi 7 mijë myslimanë, burra e djem, u ekzekutuan nga forcat nën komandën e ghjeneralit. Zoti Millosheviç, së bashku me gjeneralin Mlladiç, janë akuzuar për gjenocid për ngjarjet e Srebrenicës. Por sipas zotit Hutsch, gjenerali Mlladiç i tha atij se nuk kishte marrë ndonjë urdhër nga Beogradi ose nga zoti Millosheviç për sulmin dhe se edhe në se do të kishte marrë ai gjithsesi do të kishte vepruar me kokën e tij.

Në zhvillimet e tjera nga Haga, koloneli i serbëve të Bosnjes, Ljubisa Beara, e shtyu procesin për të thënë mendimin e tij mbi 6 akuzat për krime lufte, përfshirë edhe atë për gjenocid, për shkak të rolit të tij në Srebrenicë. I tranferuar në Hagë gjatë fundjavës, pasi qëndroi i fshehur për dy vjet, zoti Beara u bëri thirrje kolegëve të tij gjatë luftës që të dorëzohen tek gjykata.

XS
SM
MD
LG