Lidhje

Haradinaj: Pavarësia e Kosovës dhe zhvillimi ekonomik, platforma e AAK-së në zgjedhje - 2004-10-12


Në kuadër të serisë së intervistave mbi zgjedhjet e 23 tetorit në Kosovë, Zëri i Amerikës bisedoi të martën me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, fillimisht me çfarë platforme do të dilni në këto zgjedhje?

Ramush Haradinaj: Ne kemi nxjerrë para qytetarëve të Kosovës si Aleancë ofertën tonë që çdo qytetar të marrë pjesë në projektin tonë për Kosovën që përfshin: bërjen e Kosovës sovrane dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ky është një projekt i qartë dhe i saktë në veprimet që do të marrim.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, Beogradi është pozicionuar tashmë qartë në politikën e tij të decentralizimit, për pushtetin që duhet të kenë banorët serbë në Kosovë. Në se ju do të fitonit zgjedhjet, çfarë qëndrimi do të mbani ndaj këtij plani? A shihni ju mundësi kompromisi?

Ramush Haradinaj: Ne shohim mundësi të avancimeve në planin për reformimin e pushtetit lokal, i cili ka arritur një zhvillim cilësor në Kosovë nga grupi punues. Ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë projekt vendor edhe më tutje. Gjithsesi duke u siguruar se përmes këtij projekti të reformimit të pushtetit lokal, pra të decentralizimit, do të realizohen të drejtat e gjithë qytetarëve të Kosovës, me këtë rast edhe të pakicave dhe i pakicës serbe.

Zëri i Amerikës: A jeni ju si Aleancë të kënaqur me punën që është bërë deri tani për përmirësimin e gjendjes së pakicës serbe në Kosovë dhe çfarë do të bënit ju ndryshe?

Ramush Haradinaj: Mendoj se përmirësimi i pozitës së qytetarëve të Kosovës është një projekt si një i vetëm dhe i pandarë për të gjithë qytetarët e Kosovës, për shumicën shqiptare dhe pakicat. Ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen e tanishme në Kosovë, me zhvillimet politike dhe ekonomike, por po ashtu jemi dëshmitarë të shumë arritjeve në Kosovë, në përmirësimin e pozitës sonë si qytetarë, me këtë rast edhe të pozitës së pakicës serbe. Angazhimet e marra nga institucionet e Kosovës, nga udhëheqësit politikë, më 14 korrik të këtij viti në zyrën amerikane në Prishtinë, janë serioze dhe premtojnë përmirësim të pozitës së pakicave në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, pak më parë ju përmendët se dy elementët kryesorë të programit tuaj elektoral, janë pavarësia e Kosovës dhe zhvillimi i saj ekonomik. Në qoftë se e lëmë çështjen e pavarësisë mënjanë për momentin, pasi për të janë shprehur të gjitha partitë politke shqiptare, le të ndalemi tek programi juaj ekonomik. Çfarë i ofroni ju elektoratit ndryshe nga partitë e tjera? Si do ta përmirësonit ju zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Ramush Haradinaj: Programi ynë është një program i punuar nga ekspertë vendorë, njohës të realiteti ekonomik të Kosovës, por edhe nga ekspertë ndërkombëtarë. Ajo që ne i premtojmë qytetarëve të Kosovës, është nisja ekonomike e Kosovës, që nga dita e formimit të institucioneve të Kosovës, pas zgjedhjeve. Këtë do ta mbështesim me ligjet e nevojshme, praktikat pozitive dhe ato veprimtari ekonomike që kanë dhënë sukses, duke mënjanuar praktikat negative që e kanë penguar zhvillimin ekonomik në Kosovë, duke qartësuar çështjen e pronës dhe të titullarit të pronës, përmes përshpejtimit të procesit të privatizimit. Do të bëjmë një mobilizim të burimeve vendore e veçanërisht të potencialit njerëzor dhe vendosjen në vendet e duhura të profesionistëve, si në qeverisje, ashtu edhe në të gjitha funksionet që lidhen me ekonominë. Kemi një plan për bashkëpunim me institucionet monetare ndërkombëtare për të marë kredi për Kosovën, për të thithur kapitalin e huaj e po ashtu kemi një plan të veçantë për thithjen e kapitalit të diasporës. Ne kemi në projekt edhe rregullimin e sistemit të taksave me qëllim që të favorizohen prodhuesit vendorë dhe të krijohet mundësi më e madhe dhe interes më i madh për prodhuesit në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, sipas shtypit në Kosovë, kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, ka bërë kritika të ashpra këto ditë për udhëheqjen në Kosovë, që po pengon hetimet për krime lufte. Si mendoni ju ta përmirësoni bashkëpunimin me gjykatën e Hagës?

Ramush Haradinaj: Ne në Kosovë i kemi dhënë mbështetje vendosjes së rendit dhe të ligjit. Mendojmë se për të përmirësuar gjendjen e rendit, të sigurisë dhe një drejtësi më e besuar nga qytetarët e Kosovës, kompetencat për rendin dhe drejtësinë duhet t’i kalohen vendorëve. Përsa i përket aspekteve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës ne besojmë që Kosova ka dhënë prova të mbështetjes së drejtësisë, por po ashtu mendojmë se Kosova ka qënë viktimë e ekuilibrit politik që është synuar të vendoset në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, gjatë këtyre 4 vjetëve, Kosova është qeverisur nga një qeveri koalicioni dhe ka rënë në sy mungesa e opozitës. Cili është mendimi i partisë tuaj, a duhet të vazhdohet me një formulë të tillë?

Ramush Haradinaj: Formula e qeverisjes së deritanishme ka qënë e domosdoshme dhe e pashmangshme për kohën në të cilën janë krijuar institucionet. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe unë, besojmë se tani duhet lënë hapur nga përcaktimi i votuesve, pra ne i lemë të hapur opsionet e qeverisjes sipas përcaktimit të votuesve, ndërsa mendimi im personal është që duhet edhe ne të qeverisemi në format që qeverisen vendet demokratike ku ka pozitë dhe opozitë.

XS
SM
MD
LG