Lidhje

Komisioni Evropian rekomandon fillimin e bisedimeve mbi anëtarësimin e Turqisë - 2004-10-13


Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian, rekomandon që bisedimet mbi anëtarësimin e Turqisë, duhet të fillojnë. Romano Prodi, Kryetari i Komisionit që po largohet nga kjo detyrë, tha se ”Turqia duket qartë se ka arritur nivelet e kërkuara nga standartet e Bashkimit Evropian, ose do t’i përmbushë ato me hyrjen në fuqi të kodit të ri penal, i cili tashmë është miratuar. Zoti Prodi thotë se Bashkimi Evropian po reagon në përgjigje të reformave të Turqisë:"Përgjigja sot është ”Po”, përsa i përket përmbushjes së kritereve, si dhe për hapjen e negociatave. Pra ajo është një ”Po” e mbështetur tek kualifikimi i Turqisë për t’u anëtarësuar në radhët e Bashkimit."

Por Raporti i Komisionit Evropian përmban edhe një klauzolë për pezullimin e negociave të anëtarësimit në se Turqia ngurron të plotësojë detyrimet e saj në fushën e të drejtave të njeriut - një kusht ky që do t’u vihet të gjitha vendeve të aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Gunter Vergeugen thotë se Turqisë do t’i duhet kohë të plotësojë standartet e Bashkimit Evropian: "Procesi i reformave në Turqi është më se i nevojshëm, në mënyrë që ky vend të ketë qëndrueshmëri, bazuar në të njëjtat vlera që kanë vendet e tjera të Bashkimit Evropian duke u radhitur fuqishëm në botën perëndimore."

Udhëheqësit evropianë tani duhet të miratojnë rekomandimin dhe kanë në plan ta trajtojnë këtë çështje në takimin e tyre të muajit dhjetor. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Abdullah Gul tha se ”Ky është një vendim historik për Turqinë dhe Evropën. Komisioni Evropian i ka bërë rekomandimet e nevojshme”- tha ai.

Zëvendës-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Adam Ereli, thotë se ky rekomandim i Komisionit Evropian është një lajm i mirë. "Ne e mirëpresim përkushtimin e vendosur të Turqisë për vazhdimin e reformave gjatë gjithë procesit për pranimin në Bashkimin Evropian. Ne i mirëpresim rekomandimet pozitive të Bashkimit Evropian mbi Turqinë," thotë zoti Ereli.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur për një kohë të gjatë idenë e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian dhe do ta mirëprisnin një vendim në muajin dhjetor për përcaktimin e një date të hershme për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e këtij vendi në radhët e organizatës evropiane. //bsa//

XS
SM
MD
LG