Lidhje

Fushata zgjedhore në Kosovë është në kulmin e saj - 2004-10-13


Analistët thonë se çështja kryesore për t’u përcaktuar nga këto zgjedhje është se çfarë koalicioni qeveritar do të krijohet për të negociuar me komunitetin ndërkombëtar rreth statusit përfundimtar të Kosovës. Vendimi se çfarë do të bëhet me Kosovën pritet të merret në vitin 2005 dhe qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje pritet të luajë një rol kyç në këtë proces.

Ashtu si edhe në zgjedhjet e fundit, në vitin 2001, nuk pritet që shumicën ta fitojë një parti e vetme. Tre partitë kryesore kanë pak dallime në përmbajtje dhe më shumë në stilin e tyre drejtues.

Partia më e madhe, Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, siguroi mbi 40 përqind të votave më 2001. Partia Demokratike e Kosovës, në udhëheqjen e së cilës ka shumë nga ish luftëtarët e UÇK-së, mori 24 përqind. Dhe një parti e tretë mori rreth 8 përqind të votave.

Këtë vit është formuar një parti e re, Lëvizja Civile Ora. E kryesuar nga gazetarë të shquar me njohje ndërkombëtare, Ora shpreson të fitojë vende në kuvend dhe të luajë një rol të rëndësishëm në qeverinë e re.

Ylber Hysa, numri i dy i lëvizjes, thotë se Ora po përqëndrohet tek çështjet ekonomike dhe votuesit e pavarur.

“Llogjikisht këta janë njerëzit të cilëve po u drejtohemi. Dhe ne mendojmë se ka ardhur koha të punojmë më seriozisht rreth politikave që duhet të bazohen mbi çështjet që na shqetësojnë. Këtu e kam fjalën për probleme të tilla të mprehta si vende pune, më shumë politika ekonomike dhe më pak korrupsion.”

Papunësia në Kosovë është 56 përqind dhe zhvillimi ekonomik është dobësuar. Qeveria e Kosovës ka kompetenca të kufizuara, ndërsa autoriteti real ushtrohet nga UNMIK-u.

Pakica serbe prej 10 përqindësh në Kosovë është e ndarë në se do të marrë pjesë apo jo në zgjedhje. Presidenti i Serbisë u ka bërë thirrje banorëve serbë që të marrin pjesë në zgjedhje.

Por Kryeministri i Serbisë ka bërë thirrje kundër pjesëmarrjes së tyre, duke thënë se pakica serbe nuk gëzon të drejta bazë njerëzore dhe ndodhet nën kërcënim të vazhdueshëm nga shumica shqiptare. Në mars, si rezultat i protestave të dhunshme anti-serbe, shumë shtëpi dhe kisha u dogjën.

Në manastirin e Deçanit, 100 kilometra larg Prishtinës, At Sava thotë se serbët nuk kanë asnjë arësye pse të marrin pjesë në votime.

“Jo ne nuk do të votojmë. Nuk ndihemi të lirë për të votuar dhe nuk dimë se për kë të votojmë. Por ne nuk po u bëjmë presion njerëzve të tjerë për të votuar ose jo.”

Përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës nuk do të jetë i lehtë. Ligjërisht Kosova është pjesë e Serbisë, e cila e kundërshton pavarësinë e saj. Bashkimi Evropian nuk ka arritur në një konsensus për këtë çështje dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa shihen në Kosovë si më të prirura drejt pavarësisë, kanë thënë se nuk do të marrin ndonjë vendim të paktën deri në mes të vitit të ardhshëm.

//ze//

XS
SM
MD
LG