Lidhje

Thaçi: PDK ka një vizion të qartë për një shtet të pavarur dhe sovran - 2004-10-13


Në kuadër të intervistave mbi zgjedhjet në Kosovë Zëri i Amerikës intervistoi të mërkurën Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, Partia Demokratike e Kosovës ka kryesuar qeverinë që nga zgjedhjet e kaluara të vitit 2001. Megjithë përparimet e vëna re, problemet e Kosovës janë ende të shumta. Çfarë i ofroni ju elektoratit këtë herë?

Hashim Thaçi: Ne shpresojmë dhe besojmë se Partia Demokratike e Kosovës do të fitojë shumicën e mjaftueshme për të ndërtuar institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve. Ne si PDK megjithë progresin që është arritur në Kosovë dhe suksesin në të udhëhequrit e qeverisë të subjekteve bashkëqeverisëse mund të themi se kemi futur një fryme të re pune e kooperimi, por edhe të ndryshimit të imazhit të Kosovës në pozitiv edhe para qytetarëve edhe para botës perëndimore. Partia Demokratike e Kosovës premton edhe më tej më tepër rend, rregull, siguri, mirëqënie ekonomike e sociale dhe punësim të të rinjve. Kemi premtuar dhe jemi të sigurtë se me fitoren e PDK-së, Kosova do të ketë brenda 6 muajsh një kushtetutë moderne, e jo më kornizë kushtetuese. Në vitin 2005 do të hapet perspektivë e mirë e ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi pas dhunës së muajit marsit, marrëdhëniet me administratën ndërkombëtare u tronditën thellë. Ju jeni shprehur se UNMIK-u duhet të fillojë të luajë më shumë rolin e këshilltarit, se sa të një organi qeverisës. Si synoni ta realizoni ju këtë ide?

Hashim Thaçi: Ne duhet edhe më tutje të investojmë në forcimin e raporteve të autoriteteve të Prishtinës me autoritetet civile ndërkombëtare, por mbi të gjitha duhet të punojmë edhe më tepër që Kosova të qeveriset prej institucioneve legjitime të dala nga vota e lirë, ndërsa UNMIK-u të ketë një rol mbikqyrës apo një zyrë këshilldhënëse por me prani të theksuar të Natos. Besoj se me fitoren e PDK-së kjo do të ndodhë, Kosova do të qeveriset prej kosovarëve dhe do të kemi shumë më pak UNMIK.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi një nga problemet më të mprehta në Kosovë dhe një prej standarteve, le te themi me te vështira, është përmirësimi i gjendjes së pakicës serbe. A i bie partisë tuaj, si pasuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një përgjegjësi më e madhe për të punuar në këtë drejtim?

Hashim Thaçi: Përgjegjësia për ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, të pavarur, ku çdo qytetar i Kosovës do t’i gëzonte të drejtat e veta të barabarta bie mbi gjithë spektrin politik dhe institucionet e Kosovës, por edhe mbi qytetarët e Kosovës, prandaj Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të luajë rolin udhëheqës për ndërtimin e identitetit shtetëror të Kosovës ku çdo qytetar i Kosovës do të jetë shtetas i Kosovës dhe natyrisht të punojmë shumë që pavarësisht dallimeve etnike, qytetarët e Kosovës të kenë të drejtën e lëvizjes së lirë, të kenë siguri më tepër, të kenë mirëqënie ekonomike, thjesht çdo qytetar i Kosovës ta ketë lakmi për të jetuar në Kosovën e re.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët pak më parë se një ndër elementët e programit tuaj është edhe mirëqënia ekonomike e Kosovës. Ndërkohë që PDK-ja ka qeverinë, papunësia në Kosovë është në shifrat 56 përqind. Çfarë masash konkrete mund të merrni ju në qoftë se i fitoni zgjedhjet për ta përmirësuar këtë gjendje të rëndë ekonomike?

Hashim Thaçi: Ne kemi udhëhequr qeverinë e një spektri të gjerë politik dhe mendoj se kjo udhëheqje ka qënë e mirë. Ne mendojmë se me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës do të hapet perspektivë edhe në zhvillimin ekonomik, procesi i privatizimit do të udhëhiqet prej qeverisë së Kosovës, duke krijuar bazë të mirë për hapjen e bizneseve të vogla e të mesme, që do të çojnë në krijimin e vendeve të reja të punës, do të investojmë në reformat në edukim e shëndetësi. Por në të njejtën kohë do të punojmë shumë dhe këto kontakte do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pasi në të gjitha kontaktet që kam pasur me autoritetet e Bashkimit Evropian kam kërkuar që qytetari i Kosovës, pavarësisht nga statusi politik, të ketë statusin e qytetarit evropian dhe të ketë mundësi për të punuar si çdo qytetar evropian edhe në vende të tjera perëndimore. Unë besoj se do të kemi mundësi për punësimin e të rinjve edhe brenda në Kosovë, por në të njejtën kohë do të krijohet bazë e duhur ligjore për të punuar edhe në Evropën perëndimore.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi edhe një pyetje e fundit, vitin e ardhshëm pritet të hapen negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës. A ka partia juaj një strategji për këto negociata?

Hashim Thaçi: Partia Demokratike e Kosovës për dallim nga partitë e tjera ka vizionin për shtetin e pavarur dhe sovran, ka një strategji të qartë, por mbi të gjitha PDK nuk ka iluzione, se në vitin 2005, gjithshka do të zgjidhet përnjëherë. Ne i besojmë procesit politik, i besojmë respektimit të plotë nga institucionet e Kosovës të vullnetit të qytetarit të Kosovës për shtetin sovran.

XS
SM
MD
LG