Lidhje

Kosovë: mbërrijnë trupat e nxënësve që humbën jetën në aksidentin e Fushë Arrëzit - 2004-10-15


Njëri pas tjetrit arkivolet me trupat e 15 nxënësve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Fushë Arrës të Shqipërisë, u vendosën mbi bankat shkollore të gjimnazit të Malishevës, aty ku mbase një javë më parë ishin ulur për mësime.

Mijëra qytetarë në orët e pasditës filluan homazhet përreth arkivoleve të mbulura me lule dhe flamuj. Trupat e nxënësve u sollën fillimisht në Institutin e Mjeksisë Ligjore në Rahovec, ku deri në orët e pasditës ka vazhduar procesi i identifikimit të tyre. Edhe më tej trupi i një nxënësi nuk është identifikuar. Mbrëmja e gjeti Malishevën të trishtuar nga humbja dhe dhimbja e familjarëve që po bënin përgatitjet për ceremoninë e varrimit që do të mbahet nesër në mesditë… “…birin e humba. E nisa per ekskursion m’u kthye ne arkivol. Fati ma ka percjellë mua dhe gjithë të tjerëve…”, tha njëri nga prindërit që ka humbur djalin e tij në aksidentin e së enjtes.

Në homazhe morën pjesë edhe udhëheqësit më të lartë të Misionit të Kombeve të Bashkuara, institucioneve vendëse dhe partive politike. Shefi i UNMIK-ut Soren Jesen-Petersen u zotua për mbështetje të plotë të familjarëve të viktimave. “Nuk jemi me ju vetëm në këto çaste të pikëllimit dhe tronditjes por edhe gjatë ditëve që vijnë”, tha Soren Jessen-Peteresen.

Ngushëllimet e tij familjeve u ka shprehur edhe presidenti I Kosovës Ibrahim Rugova. Ai tha se pos ditës së premte që e ka shpallur ditë zie edhe e shtuna do të jetë njësoj me rastin e ceremonisë së varrimit, duke u bërë thirrje familjarëve “që të jenë të fortë” … Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se qeveria e tij do të mbështesë familjet e viktimave ndërsa u shprehu mirënjohjen autoriteteve të Shqipërisë për tërë atë që kanë bërë gjatë ditës së djeshme. “Kam edhe një detyrim që të gjitha institucionet shtetërore të Shqipërisë me kanë autorizuar që t’u shpreh ngushëllimet në emrin e tyre. Ata kanë dhënë një kontribut të çmueshëm dhe një angazhim maksimal që kjo tragjedi të mos jetë edhe më e madhe”, tha kryeministri Rexhepi.

Tragjedia e djeshme ishte më e rënda në Kosovë në pesë vitet e fundit. Të gjitha rrugët me flamuj në gjysëmshtizë çonin në Malishevë, ndërsa tërë dita është përshkuar nga tinguj funebër. Në tërë Kosovë janë pezulluar të gjitha veprimtaritë politike…

XS
SM
MD
LG