Lidhje

Rritja e moshës mesatare-këmbana e alarmit  për plakjen e popullsisë - 2004-10-15


Asnjëherë në historinë e njerëzimit ritmet e shtimit të popullsisë dhe të lindjeve nuk ka rënë në nivele kaq të ulëta, kaq shpejt, për një periudhë kaq të gjatë dhe në një pjesë kaq të madhe të botës. Ky është përfundimi alarmues që thekson sociologu amerikan Ben Wetenberg, duke i cilësuar prirjet aktuale si problemin më shqetësues me të cilin ndeshet aktualisht njerëzimi. Disa nga rezultatet më të dukshme të kësaj dukurie: shumë kombe në botë po pakësohen në numër, ndërkohë që popullsia ekzistuese ka një moshë mesatare gjithnjë e më të lartë. Instituti amerikan Enterprise zhvilloi ditët e fundit një diskutim mbi këtë temë.

Pjesëmarrësit në konferencë theksuan se rënia e ritmeve të shtimit të popullsisë, sado shqetësuese dhe me pasoja negative, është në thelb kurorëzimi me sukses i një sërë programesh sociale dhe teknike, si përmirësimi i kujdesit shëndetësor, emancipimi i gruas apo përparimeve të teknologjisë.

Kjo është prirja e vetme më e rëndësishme në zhvillimin e botës aktualisht, tha sociologu Ben Watenberg. Ajo prek çdo aspekt të jetës. Kujdesi shëndetësor, në vençanti përmirësimi i kujdesit për foshnjat, ka pakësuar ritmet e vdekshmërisë në foshnja. Si rezultat prindërit nuk lindin më 5 apo 6 fëmijë me shpresën që disa prej tyre të jetojnë si para 60-70 vjetësh, por lindin vetëm 1 apo 2 fëmijë, të cilët kanë shanse shumë të mira për t’u rritur të shëndetshëm, si rrjedhojë e përmirësimit të kujdesit dhe fushatave për vaksinim.

Ndërkaq, rritja e moshës mesatare, megjithëse është këmbana e alarmit për numrin e vogël të foshnjave që lindin, është njëkohësisht edhe rezultat i një suksesi tjetër nga përparimet mjeksore dhe përmirësimit të kushteve të jetesës: brezi i moshuar tani është në gjendje të jetojë më gjatë dhe në mënyrë më aktive se kurrë më parë.

Nga ana tjetër, kjo prirje ka edhe pasoja negative: ulja e ritmeve të shtimit të popullsisë nënkupton një plakje të popullsisë botërore. Çfarë nënkupton kjo për ekonominë? Së pari do të ketë një pakësim të rinisë, qoftë si fuqi punëtore, ashtu edhe si forcë intelektuale.

Siç shpjegon zoti Wetenberg, në mënyrë që të ruhet mirëqënia aktuale, dhe pensionistëve t’u ofrohen sigurimet shoqërore, në Shtetet e Bashkuara, për shembull, duhet që ekonomia të rritet me ritme mbi 30 për qind. Ndërsa për një vend me ekonomi më të dobët, si Shqipëria, ky problem do të ishte edhe më serioz. Rinia është forca prodhuese dhe pakësimi i saj ndikon direkt në mirëqënien e një shoqërie.

"Një nga tragjeditë që ndeshet kur rinia largohet nga vendi i saj, është se ulet niveli i novacionit dhe aftësive. Rëndësi shumë të madhe ka që të kthehet në vend fuqia intelektuale, pasi mendja e njeriut është burimi më i vlefshëm i një ekonomie," thotë zoti Wetenberg. Megjithëse problemi sjell pasoja në periudhën afat-shkurtër, këto pasoja sheshohen me kalimin e viteve dhe e ardhmja mund të mos jetë aq e zymtë saç duket aktualisht thotë analisti Nikolas Eberstadt:

"Në mbarë Evropën ka ekzistuar një praktikë emigracioni që prekte kryesisht meshkujt. Por shumë veta kthehen pasi arrijnë të sigurojnë burime të mjaftueshme financiare. Për shembull në Itali në prag të shekullit të 20 afro 1 ndër 7 meshkuj emigronin në Shtetet e Bashkuara. Por afro gjysma e tyre u kthyen në atdhe në kushte më të mira ekonomike. Pa dyshim do të ketë probleme sociale afat-shkurtra, por këta emigrantë ndihmojnë vendin pasi sjellin në atdhe para nga fitimet e nxjerra."- tha zoti Eberstadt.

Një problem më akut që ka filluar të shfaqet në shumë vende evropiano-lindore, përfshirë edhe Shqipërinë, por nuk po tërheq vëmendjen e duhur, thotë zoti Eberstadt, është lindja e 7 deri në 10 për qind më shumë bebeve meshkuj se sa bebeve femra, një nivel shumë më i lartë se disproporcioni natyror:

"Nuk mund të them që ky problem vërehet vetëm në Shqipëri. Ky fenomen vërehet edhe në pjesë të tjera të botës, në përmasa ekstreme në Kinë dhe në Indi, si dhe në përmasa më shqetësuese në disa ish-republika sovjetike apo të ish-Jugosllavisë. Ky fenomen është rezultat i ndërthurjes së tre faktorëve të ndryshëm: preferenca e vazhdueshme për meshkuj në disa kultura, e ndërthurur me uljen e nivelit të lindjeve që e bën edhe më të dëshirueshme që fëmija i vetëm të jetë mashkull, e ndërthurur me përdorimin e teknologjisë, si sonogramës për të zbuluar që para lindjes gjininë e fetusit, duke u dhënë mundësi prindërve të abortojnë fetueset femra," tha zoti Eberstadt. Ky problem shqetësues, thotë zoti Eberstadt, nuk mund të zgjidhet me dekrete qeveritare, por kërkon një emancipim më të lartë të shoqërisë, për të kapërcyer preferencat në disa kultura për meshkujt:

"Ligjet nuk janë tjetër veçse një copë letër dhe nuk ndikojnë tek zemrat e njerëzve. Kjo arrihet me praktika që burojnë nga vetë shoqëria: për shembull Koreja e Jugut ka një balancë negative ndërmjet foshnjave femra dhe atyre meshkuj. Por gjendja ka filluar të përmirësohet, pasi në shoqëri u përhapën nisma për të rritur përkujdesjet dhe dashurinë për vajzat. Pra ndryshimet duhet të vijnë nga shoqëria civile, pasi nuk mund të presësh shumë nga ligjet." Pjesëmarrësit në diskutim theksojnë se, si të gjitha problemet e tjera sociale, këto dukuri kërkojnë zgjidhje përmes prirjeve të reja sociale. Megjitatë, ata theksojnë se qeveritë nuk mund të mbyllin sytë, pasi fenomene të tilla nuk ndjehen menjëherë, por kërkojnë masa aktuale që do të japin rezultat në lindjen e brezave të ardhshëm pas 20 apo 30 vjetësh.

Vetë rënia e numrit të lindjeve, si të gjitha prirjet e tjera sociale ka edhe efektet e veta pozitive. Për shembull, problemi i mbipopullimit, që kanë ngritur me të madhe sociologët prej disa dekadash, do të zgjidhej. Përveç kësaj do të ulej edhe ndotja e mjedisit. Në aspektin praktik, do të lehtësohej trafiku, por një përqindje gjithnjë e më e lartë e shoferëve do të ishin në moshë të thyer, pra vështirë se të thuhet se do të ulen aksidentet. Ndërsa, përsa i përket pakësimit të numrit të femrave, vajzat do ta kishin gjithnjë e më të lehtë të zgjidhnin partnerë, por pasojat e një balanci të tillë do të ishin shumë negative për gjithë shoqërinë.

XS
SM
MD
LG