Lidhje

Anketat: cili është roli i tyre në fushatën presidenciale? - 2004-10-16


Shumë anketa të opinionit të zhvilluara kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara tregojnë se kandidatët për president, Xhorxh Bush dhe Xhon Keri gëzojnë përkrahje thuajse të barabartë nga publiku. Analistët thonë se është vështirë të parashikohet fituesi i zgjedhjeve të nëntorit. Drejtuesit e fushatave dhe media i ndjekin me vëmendje rezultatet e anketave, por siç njofton korrespondenti Meredith Buel, vetë anketat nuk janë thjesht një pasqyrë e klimës para zgjedhjeve, por edhe një faktor që ndikon në opinionin publik.

Politikanët amerikanë theksojnë se anketa e vetme që vlen është vota që hedhin njerëzit në ditën e zgjedhjeve.

Megjithëse kjo mund të jetë e vërtetë, fushatat, mediat dhe kompanitë private shpenzojnë miliona dollarë në përpjekje për të përcaktuar se çfarë mendojnë zgjedhësit.

Profesori i shkencave politike në universitetin George Washington, Denis Johnson, thotë se kandidatët për president i përdorin anketat për të planifikuar strategjitë e tyre:

"Anketat janë tepër të rëndësishme pasi informojnë organizatorët e fushatave se çfarë ndikimi ka pasur një reklamë, ose çfarë duhet theksuar në një fjalim. Anketat tregojnë nëse duhet të përqëndrosh më shumë energji në një shtet të caktuar në se anketat atje tregojnë rënie të popullaritetit. Pra anketat janë si një paralajmërim në kohë reale nëse gjerat po shkojnë si duhet apo jo.” Megjithëse anketat tregojnë se presidenti Bush dhe senatori Keri janë në një garë të fortë, shumë nga të anketuarit i japin presidentit më shumë pikë në aftësitë për të udhëhequr luftën kundër terrorizmit, ndërsa preferojnë zotin Keri lidhur me çështjet e brendshme.

Shpesh ndodh që anketa të ndryshme përfundojnë me rezultate të ndryshme për kandidatët.

Në këtë rast anketat thonë që gara është shumë e fortë dhe ka të ngjarë që shtetet ku vërehen luhatje të tilla të luajnë një rol të rëndësishëm në zgjedhje.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Georgetown Stephen Wayne thotë se anketat nuk janë shkencë ekzakte, prandaj edhe nuk ka konsistencë në rezultatet e tyre:

"Aktualisht kemi një problem me anketat në Shtetet e Bashkuara, si rrjedhojë e mënyrës si zhvillohen. Organizatat që zhvillojnë anketa përdorin kompjuterat për të zgjedhur në mënyrë të rastësishme disa numra telefoni. Qytetarët e zgjedhur telefonohen nga ora 6 deri në 9 të mbrëmjes. Afro 50 për qind e njerëzve që ngrenë telefonin, nuk preferojnë të përgjigjen. Prandaj është e pamundur të thuhet se si do të ishin përgjigjur gjysma e njerëzve të zgjedhur për anketim.”

Larry Sabato, analist politik dhe drejtor i Qendrës Politike të Universitetit të Virginias, thotë se kur gara është shumë e fortë, disa anketa mund të ndikojnë në vendimin që marrin një pjesë e votuesve:

"Në këtë fushë janë zhvilluar shumë studime. Shpesh ndeshen raste kur qytetarët ndjekin shembullin e personave të tjerë që kanë marrë vendim në zgjedhje. Ka mundësi që kandidati që kryeson në anketa ta shtojë epërsinë, pasi zgjedhësit e pavendosur anojnë nga kandidati më i fortë. Prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm me anketat. Por askush nuk e bën këtë. Anketat i sheh ngado. Në të njëjtën ditë mund të shohësh një anketë që tregon presidentin në avantazh, më pas sheh zotin Keri në avantazh, ndërsa në një anketë tjetër të dy kandidatët janë barazim. Pra anketimi nuk është shkencë, por art.”

Për herë të parë, rrjetet kryesore televizive në Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të tregohen më të kujdesshëm në përdorimin e anketave për të parashikuar kandidatin fitues në shtete të ndryshme.

Katër vjet më parë media u ndje e turpëruar pasi parashikoi gabimisht fitoren e kandidatit demokrat Al Gore në zgjedhjet presidenciale.

Disa orë më pas rrjetet televizive u detyruar të tërheqin parashikimet dhe të shpallin fitues Xhorxh Bushin.

Gara ishte aq e fortë sa që u pasua nga një betejë ligjore dhe një debat i zjarrtë lidhur me ndikimin që ushtrojnë anketat tek zgjedhësit në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG