Lidhje

Në Ohio, gara presidenciale zhvillohet e fortë - 2004-10-18


Ohio ka një sektor bujqësor të madh dhe të zhvilluar. Por është sektori industrial që ka shënuar rënie ai që po dominon fushatën elektorale. Gjatë viteve të fundit Ohio ka humbur dhjetra mijëra vende pune në sektorin e manifakturës që janë transferuar jashtë Amerikës.

Firma Teneglas e cila prodhon pjesë për televizorë, e që punësonte më parë 1 mijë e 200 punëtorë në fabrikën e saj në Columbus, është firma më e fundit që mbyll dyert në Ohio. Sindikalisti William Geisler thotë se ndikimi mbi familjet punëtore ka qënë tepër i rëndë. “Ata kanë humbur shtëpitë dhe makinat. Tani po përpiqen të bëjnë ç’të mundin për të jetuar. Por në Ohio kjo është e vështirë për shkak të tregut të dobët të punës.”

Papunësia në Ohio u ngrit nga 6 në 6 presje 3 përqind në gusht me humbjen e 12 mijë vendeve të tjera të punës. Por edhe ata që kanë punë janë të shqetësuar. Në qytetin Akron, përkrahësi i kandidatit Xhon Kerri, Davis Oden, ankohet për vendet e punës me paga të ulta dhe për humbjen e përfitimeve si sigurimi shëndetësor. “Ka nga ata që punojnpë tani dhe fitojnë më pas nga sa merrja unë në vitin 1975. A është ky përparim?”

Profesori Herb Asher i Universitetit të Ohios thotë se problemet ekonomike do të jenë vendimtare për banorët e këtij shteti gjatë votimeve në nëntor. “Ohio po kalon përmes një transformimi madhor ekonomik, nga një ekonomi manifakture në diçka tjetër. Por se ç’do të jetë kjo tjetra nuk dihet”.

Profesori Asher thotë se premtimi i zotit Kerry për t’i mbajtur vendet e punës me paga të mira në Shtetet e Bashkuara gjen mbështetje në Ohio.

Por gjendja e tregut të punës është e komplikuar. Ndërsa shumë vende pune kanë migruar jashtë Amerikës, po ndodh edhe e kundërta. Firma japoneze e automobilëve, Honda, festoi 25 vjetorin e prodhimit të makinave në Shtetet e Bashkuara. Kjo kompani ka investuar 6 miliardë dollarë në Ohio dhe punëson aty 16 mijë njerëz.

Për disa, siguria ekonomike, ecën paralel me sigurinë kombëtare. David Fannon, pronar i një dyqani stampimi, thotë se pas sulmeve të 11 shtatorit Amerika ka nevojë për një udhëheqës të fortë dhe të vendosur. Për të kjo do të thotë Presidentin Bush. “Ne e dimë se çfarë mendon dhe çfarë do të bëjë Presidenti Bush.”

Në një qytet tjetër në Ohio, Bob Ackerman, ka vendosur dhjetra parrulla në mbështetje të trupave amerikane në Irak. Nipi i tij shërben në Irak dhe ai thotë se e mbështet plotësisht Presidentin Bush, megjithë shtimin e numrit të të vrarëve në Irak. Ai thotë se, edhe në se nipi i vritet në luftime, ai nuk do të heqë dorë nga kjo mbështetje. “Pa dyshim që do të ishte dhimbje e madhe për mua, do ta ndieja shumë mungesën e tij. Por e do e dija se ku është. Nuk mund të inatosesh me Presidentin pse jemi në luftë”.

Anketat tregojnë se Presidenti Bush ka qënë gjithmonë në krye në Ohio ndaj Senatorit Kerri me një diferencë që shkon nga 3 në 11 përqind. Por zyrtarë demokratë, si Brendon Cull, thonë se gara është më e ngushtë nga sa tregojnë anketat. “Xhon Kerri po shpenzon shumë kohë këtu, pasi ai mendon se me përpjekje të mëdha deri në 2 nëntor, ne mund ta fitojmë këtë shtet.”

Por demokratë të tjerë nuk janë kaq optimistë. Elizabeth Lessner, pronare e një klubi, thotë se ekonomia e dobët dhe shtimi i viktimave në Irak, duhet t’i kishin dhënë zotit Kerri kryesimin në anketa. Ajo thotë se zoti Kerri mund të përfundojë një kandidat i dobët. “Njerëzit janë për Kerrin, jo se mbështesin atë, por se janë për këdo tjetër veç Bushit. Ata janë të zemëruar me ato që ndodhin, por nuk më duket se mbështesin me forcë Kerrin. Dhe për të fituar atij i duhen njerëz që me të vërtetë të besojnë tek ai. Dhe ai nuk na ka dhënë shumë që ne të punojmë për të dhe kjo është irrituese.”

Republikanët nga ana e tyre janë të kënaqur me rezultatet e anketave, por siç thotë zëdhënësi i presidentit Bush në Ohio, ata nuk po bien në vetëkënaqësi. “Që nga viti 1900 vetëm dy kandidatë kanë arritur të zgjidhen president pa fituar në Ohio. Të dyja palët e kanë të qartë historinë dhe e dinë se u duhet të fitojnë Ohion për të fituar Shtëpinë e Bardhë”.// lk //

XS
SM
MD
LG