Lidhje

Shqipëri: autoritetet premtojnë zgjidhje për pronat e çamëve në Greqi  - 2004-10-19


Në Shqipëri autoritetet më të larta shtetërore dhe politike siguruan sot se çështja e pronave të popullsisë çame në Greqi do të gjejë zgjidhje. Këto komente kryeministri Fatos Nano, Kryetari i Parlamentit, Servet Pëllumbi dhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i bënë pas takimeve që patën me presidentin e Greqisë Kostantinos Stefanopoulos, i cili dje kishte deklaruar se sipas tij, çështja çame ishte një problem i mbyllur, që nuk ekzistonte më dhe që i përkiste së kaluarës.

Kjo deklaratë bëri që çështja e pronave të popullsisë çame të zinte vend në të gjitha bisedimet e sotme. Kryetari i Parlamentit Pëllumbi tha se "kërkesa për njohjen e pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi do të gjejë një zgjidhje ligjore". Po ashtu, edhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i cili në vitin 1996, në postin e Presidentit të Shqipërisë kishte nënshkruar Traktatin e Miqësisë me presidentin grek Stafanopoulos, deklaroi se ishte rënë dakort që “të gjitha problemet e pronësisë të zgjidhen sipas procedurave juridike, siç është sanksionuar në traktatin e firmosur së bashku”. Kryeministrat e Greqisë dhe Shqipërisë pak muaj më parë ranë dakort për ngritjen e një grupi të përbashkët ekspertësh që do të merrnin në shqyrtim çështjet e pronësisë të qytetarëve të tyre në të dy vendet.

19 tetori-festë kombëtare për nder të Nënë Terezës

Po në Shqipëri, dita e sotme, 19 tetori është festë kombëtare me rastin e lumturimit një vit më parë nga Papa Gjon Pali i II i Nënë Terezës, bamirëses me origjinë shqiptare. Por ndonëse qeveria shqiptare percaktoi 12 muajt e kaluar si Vitin e Nënë Terezës e vendosi ngritjen e një shtatoreje të saj në kryeqytet apo dhe të një Kapele në qendrën Universitare spitalore, asgjë nuk ka përfunduar dhe sot nuk pati thuajse asnjë aktivitet në kujtim të shqiptares që kishte fituar edhe cmimin Nobel të Paqes. I vetmi aktivitet është ai që u njoftua sot dhe do të zhvillohet në fundjavë, nga Instituti italian i Kulturës, një vepër operistike, “Oratorium” kushtuar Nënë Terezës. Për shtatoren e bamirëses shqiptare nuk është vendosur ende vendi ku do të vihet. Ndërsa për Kapelën e cila mendohej të inaugurohej sot, nuk ka thuajse asnjë gjurmë. Në Shqipëri emri i Nënë Terezës i është vënë njërit prej shesheve kryesore të Tiranës, Qendrës Universitare spitalore dhe aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit.

XS
SM
MD
LG