Lidhje

Reklamat televizive-pjesë e rëndësishme e fushatës elektorale në SHBA - 2004-10-19


Analistët politikë parashikojnë se fushata presidenciale e këtij viti në Shtetet e Bashkuara do të kushtojë rreth një miliardë dollarë dhe pjesa më e madhe e kësaj shume do të shpenzohet për reklama televizive. Si arrijnë kampet politike të ngrenë fonde të tilla, dhe çfarë ndikimi kanë reklamat tek vota e amerikanëve në ditën e zgjedhjeve? Tradicionalisht, gjatë fushatës për zgjedhjet paraprake, qeveria u jep kandidatëve për president të njejtën shumë parash që ata kanë arritur të grumbullojnë vetë nga sektori privat për fushatat.

Presidenti Bush dhe kandidati demokrat për president John Kerry që të dy vendosën gjatë fushatave për zgjedhjet paraprake të mos pranonin fondet federale, për arsye se asnjë prej tyre nuk donte t’u nënshtrohejkufizimeve që lidhen me pranimin e fondeve publike.

Kjo i lejon përkrahësit e të dy kandidatëve të kontribuojnë deri në 2 mijë dollarë secili. Në fillim të vitit, shumica e analistëve parashikuan që presidenti Bush dhe Partia Repulbikane do të siguronte shumë më tepër fonde se sa demokratët.

Por senatori John Kerry i habiti shumë ekspertë me fitoren e tij në zgjedhjet paraprake, duke dalë si kandidati i kryesor i Partisë Demokrate, dhe duke siguruar emërimin e kësaj partie. Profesori i shkencave politike Stephen Wayne i Univeristetit Georgetown thotë se këto fitore e ndihmuan zotin Kerry ta balancojë plotësisht avantazhin me fondet që kishin siguruar republikanët. "John Kerry filloi të grumbullojë një sasi të madhe parash pasi u bë kandidati kryesor i Partisë Demokrate. Faktikisht, ai ka grumbulluar më tepër fonde se George Bushi. Demokratët dhe republikanët së bashku kanë grumbulluar më tepër se 600 milionë dollarë për këtë fushatë. Por paratë duhet të shpenzoheshin para se ata të emëroheshin nga partitë si kandidatë presidencialë. Të dy kandidatët tani kanë pranuar fondet publike për zgjedhet e përgjithshme, që kapin shifrën e 75 milionë dollarëve për secilin. ”

Grumbullimi zyrtar i fondeve është vetëm një mënyrë për sigurimin e parave për fushatën nga ata që janë të interesuar për të ndikuar në fushatën presidenciale.

Në zgjedhjet e këtij viti, grupe të interesave të veçanta kanë krijuar të ashtuquajturat organizatat 527, sipas një klauzole të ligjit të taksave të Sheteve të Bashkuara. Këto grupe shpenzojnë sasi të jashtëzakonshme parash, kryesisht për reklamat televizive.

Larry Sabato është analist politik dhe drejtor i Qendrës së Poltikave pranë Universitetit të Virginias në Charlottsville. "Grupet 527 lindën pas reformës për financimin e fushatave. Reformatorët na thanë se do t’i jepej fund këtyre shpenzimet e pavarura. Por, si zakonisht, doli se ata e kishin gabim, për arsye se mendjet më të zgjuara të Amerikës i përqëndrojnë aftësitë e tyre tek politikat konkuruese partiake. Ata gjithmonë e gjejnë një klauzolë të veçantë tek ligji dhe juristët e bënë përsëri një gjë të tillë. Grupet 527, të fakt, po shpenzojnë qindra miliona dollarë jashtë ligjit, por përsëri pa e shkelur ligjin, duke shfrytëzuar amendamentin e parë, për të mbështetur, ose kundërshtuar dy kandidatët Kerri dhe Bush.” Shumë analistë thonë se një nga reklamat televizive më të efektshme gjatë sezonit politik ishte paguar nga një organizatë veteranësh, e cila vinte në pikëpyetje shërbimin ushtarak të senatorit Kerry dhe medaljet që ai kishte marrë gjatë Luftës së Vietnamit.

Kur reklamat filluan në muajin gusht, që më pas u pasuan me Kuvendin e Partisë republikane, anketimet treguan një rritje të konsiderueshme të mbështetjes për presidentin Bush. Gara që atëhere është tepër e ngushtë. Pas debatit në se u duhet përgjigjur akuzave, fushata e zotit Kerry ju kundërpërgjigj me një tjetër reklamë.

Dennis Johnson, profesor i shkencave politike në Universitetin George Washington, thotë se sulme të tilla negative japin rezultat. "Në muajin gusht pamë se me fillimin e këtyre reklamave, të dy kandidatët filluan t’u përgjigjeshin sulmeve. Në atë moment mbështetja për zotin Kerry, pra në se ai do të ishte komandanti i aftë për të drejtuar vendin në kohë lufte, filloi të bjerë. Me sa duket kjo ndikoi së tepërmi tek disa njerëz, veçanërisht tek veteranët, të cilët filluan të mendonin se ndoshta John Kerry nuk është personi i duhur për të udhëhequr vendin. Pra, mendoj se do të shohim, që në se ky është mesazhi i drejtë i dhënë nga këto grupe të jashtme, kjo natyrisht që do t’i dëmtojë të dy kandidatët."

Analistët thonë se deri në zgjedhjet e 2 nëntorit, rreth dy të tretat e fondeve të grumbulluara nga kandidatët do të shpenzohen me reklama teelvizive.

Reklamat do të vihen në stacionet televizive, në të ato shtete të ashtuquajtura të lëkundura, ku gara zhvillohet e ashpër, pra në ato shtete, ku sipas anketimeve, nuk dihet ende se kush mund të fitojë, presidenti Bush apo senatori Kerry.// lk //

XS
SM
MD
LG