Lidhje

Eliot Engel: zgjedhjet kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Kosovës - 2004-10-22


Në një intervistë telefonike me Zërin e Amerikës, Kongresmeni amerikan Eliot Engel i bëri thirrje popullit të Kosovës, të gjitha grupeve etnike, që të dalin nesër në votime, pasi zgjedhjet kanë një rëndësi të jashtëzakonëshme për të ardhmen e Kosovës, siç u shpreh ai.

"Është me shumë rëndësi që ata të votojnë që e gjithë bota të shikojë se ata janë të gatshëm të marrin pjesë në proceset demokratike, për të marrë nën kotroll jetën e tyre dhe për të përcaktuar drejtimin e të adhmes. Të gjitha grupet etnike në Kosovë duhet të marrin pjesë në votime për t’i treguar botës se ata janë në gjendje të drejtojnë vendin e tyre".

Kongresmeni Engel tha se komuniteti ndërkombëtar i ka nxjerrë pengesa dhe i ka vënë kritere popullit të Kosovës me deklaratën e tij “standardet përpara statusit”. Përpara se populli i Kosovës të flasë për pavarësinë e tij, për të ardhmen, për vetvendosjen, tha kongresmeni Engel, ai duhet t’i tregojë botës se është i gatshëm të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe demokratike. Është me shumë rëndësi, vazhdoi ai, që populli i Kosovës të dalë në një numër të madh në votimet e nesërme, për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar se ai është i aftë të ndjekë rrugën e proceseve demokratike dhe të vetëqeveriset, në të kundërtën, në qoftë se një numër i vogël njerëzish del në votime, kjo do t’i shërbente argumentit se populli i Kosovës nuk është ende i përgatitur të vet-qeveriset.

Kongresmeni amerikan nga New Yorku, Eliot Engel, është një nga përkrahësit e pavarësisë së Kosovës. Ai ka bindjen se populli i Kosovës është i aftë të vetqeveriset.

"Në qoftë se popullit të Kosovës i jepet mundësia për t’u vetqeverisur dhe për të qënë i pavarur, ai do të tregojë se është i aftë për ta bërë këtë dhe po aq mirë sa edhe çdo popull tjetër nëpër botë".

Kongresmeni Engel tha se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse ato mund të shënojnë hapin e parë drejt një përparimi të mirëfilltë për të ardhmen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG