Lidhje

Në kërkim të pesë presidentëve - 2004-10-24


Pjesa më e madhe e amerikanëve kurrë nuk do të kenë mundësi të takohen drejtpërdrejt me një president amerikan, dhe aq më pak shans për një bisedë të zgjeruar. Por gazetari Bob Greene vendosi dy dekada më parë të bëjë pikërisht këtë dhe gjatë përpjekjeve të tij arriti disa rezultate të papritura. Ai i përshkruan takimet me ish-burrat e shtetit në librin e tij “Udhëtim në kërkim të pesë presidentëve.” Nancy Beardsley përgatiti këtë material.

Ata janë anëtarë të një klubi elitë, burra shteti me preardhje dhe ideologji të ndryshme të cilët kanë kaluar një përvojë të përbashkët. Të gjithë kanë qenë presidentë të Shteteve të Bashkuara:

Bob Green thotë se ideja e bisedës me ish-presidentë lindi me dëshirën për të hulumtuar në historinë e Shteteve të Bashkuara. Por në vend që të vizitonte monumente apo arkiva, Bob Greene vendosi të kontaktonte presidentët Nixon, Ford, Carter, Reagan dhe presidentin e parë Bush.

Misioni do të kërkonte shumë kontakte me telefon dhe letra në adresë të presidentëve dhe zgjati afro 15 vjet. Bob Greene thotë se nuk ishte i interesuar shumë në politikat që kishin vënë në zbatim presidentët, por në vetë këta individë:

“Presidenti Nixon ishte i pari që shkova të takoj, dhe m’u kujtuan shprehje të tilla që përdoreshin për ta karakterizuar atë si një njeri që s’mund t’i zësh besë. E pyeta nëse ishte prekur ndonjëherë nga këto komente. Ai m’u përgjigj se po të kishte pasur ndjenja të tilla nuk do të kishte arritur të mbijetonte”.

Richard Nixoni gjithashtu i tregoi autorit se i vlerësonte aq shumë zyrtaritetin, sa që edhe kur punonte vetëm vishej me kostum e kravatë dhe u kërkonte edhe miqve më të afërm t’i drejtoheshin me fjalët “Zoti president.” Bob Greene tregon se para bisedës me presidentin kishte pasur një përshtypje shumë negative për të, por pas një bisede të gjatë ata filluan një korrespondencë që zgjati për vite me radhë.

Zoti Greene tregon se pas bisedës me presidentin Jimmy Carter mësoi se ai dhe e shoqja ishin ndjerë shumë të ofenduar kur kishin ardhur pas fitores në Washington, dhe gazetat i kishin portretizuar si fshatarë të pagdhendur.

Bob Greene takoi presidentin George Herberb Bush kur po jepte një fjalim në një hotel në Çikago. I biri i tij George Walker nuk kishte filluar akoma fushatën për t’u zgjedhur president, por djali më i vogël, Jeb, ishte bashkë me të atin në Çikago: “Jebi ishte në dhomën e gjumit dhe po bënte telefonata në kuadër të fushatës së tij për t’u zgjedhur guvernator i Floridës. Ndërsa i ati po tregonte se një natë më parë kishte shkuar në një ndeshje beisbolli dhe se sa i gëzuar ishte që mund t’i shijonte këto gjëra pa pasur një barrë mbi kurriz. Dukej sikur stafeta i kishte kaluar kaluar Jebit”.

Autori tregon se presidenti Bush shprehte hapur krenarinë që edhe të bijtë e tij kishin vendosur të ndiqnin shembullin e tij dhe t’i futeshin politikës.

Bob Greene nuk përfshin presidentin Klinton në librin e tij, ndërsa presidenti Reagan përfshihet tërthorazi. Autori kishte në plan të merrte pjesë në një banket në Los Anxheles në vitin 1994, ku do të fliste presidenti Reagan. Por në vend të tij doli e shoqja për të dhënë njoftimin se Ronald Reagani vuante nga sëmundja e Parkinsonit. Për autorin, kjo skenë simbolizon një ndër temat kryesore të librit:

“Ky klub është në një masë të madhe një organizatë humbjesh. Presidentit Nikson iu desh të jepte dorëheqjen. Në rastin e presidentëve Ford, Carter dhe Bush, natën e zgjedhjeve ata mësuan se populli amerikan nuk i donte të qeverisnin për një mandat të dytë. Ndërsa presidenti Reagan pësoi një goditje më të rëndë, pasi humbi veten nga sëmundja”.

Por libri ka edhe shumë momente të gëzueshme. Në shumë nga bisedat që zhvilloi zoti Greene duket qartë se këta ish-burra shteti ende demonstrojnë shenja të qarta ambicjeje që i shtynë të fitonin postin më të lartë në Amerikë.

Bob Greene thotë se breza të tërë fëmijësh amerikanë janë rritur me ëndrrën se një ditë mund të bëhen president. Udhëtimi i tij e ndihmoi të kuptonte përse një grup i vogël burrash arritën ta përmbushin këtë me sukses si dhe pasojat që ata dhe familjet e tyre ende vuajnë si rrjedhojë e këtij suksesi.

XS
SM
MD
LG