Lidhje

SHBA: zhgënjim i thellë për bojkotimin serb të zgjedhjeve në Kosovë - 2004-10-25


Shtetet e Bashkuara shprehën dje zhgënjim të thellë ndaj bojkotimit që shumica e serbëve u bënë zgjedhjeve parlamentare të së shtunës në Kosovë. Departamenti i Shtetit tha se zyrtarët amerikanë do të vazhdojnë të punojnë për një të ardhme politike shumëetnike të Kosovës. Korrespondenti ynë David Gollust njofton nga Departamenti i Shtetit.

Fakti që pjesa më e madhe e pakicës serbe nuk mori pjesë në votimet e së shtunës shihet si një hap prapa në përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e së ardhmes politike të Kosovës.

Por Departamenti i Shtetit, megjithëse shprehte zhgënjim rreth një zhvillimi të tillë, theksonte se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për një Kosovë të qendrueshme, të sigurt dhe shumëetnike.

Kombet e Bashkuara e administrojnë Kosovën që nga viti 1999, kur NATO-ja ndërmori një fushatë bombardimesh për t’i dhënë fund përndjekjeve të shqiptarëve nga forcat serbe dhe jugosllave.

Qeveria e re që pritet të formohet mbi bazën e zgjedhjeve të së shtunës pritet të marrë më shumë kompetenca ndërkohë që prania e OKB-së do të pakësohet. Por sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve, bojkotimi serb, i ka komplikuar këto plane dhe mund ta vonojë arritjen e një zgjidhjeje politike për vetqeverisjen.

Udhëheqësit politikë serbë kishin bërë thirrje për bojkotim duke thënë se pjesmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje do të nxiste më tej lëvizjet e shqiptarëve drejt pavarësisë.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Adam Ereli i përgëzoi autoritetet e Kosovës për zgjedhjet të cilat janë konsideruar përgjithësisht të lira dhe të drejta. Në të njëjtën kohë ai shprehu keqardhje për qendrimin e mbajtur nga udhëheqja serbe.

"Neve na vjen keq që disa politikanë i dekurajuan njerëzit që të mos votonin. Jemi thellësisht të zhgënjyer për faktin që shumë serbë të Kosovës vendosën të mos votojnë. Pikpamja jonë është se ky vendim është në dëm të vetë atyre. Pjesmarrja në institucionet e Kosovës është e vetmja mënyrë që të gjitha komunitetet në Kosovë të çojnë përpara interesat e tyre legjitime,” tha zëdhënësi.

Zoti Ereli tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me udhëheqësit e Kosovës për çështjet kyçe duke përfshirë përparimin në ndërtimin e një të ardhmeje shumëetnike në rajon. Ai tha se tani që zgjedhjet përfunduan, e rëndësishme është të vazhdohet puna për aspekte të tilla thelbësore si decentralizimi politik.

Sipas rezultatave paraprake, Lidhja Demokratike e Presidentit Ibrahim Rugova, parti e cila është për pavarësinë, ndodhet në krye me një diferencë të qartë nga rivalët e saj.

Bisedimet për të ardhmen politike të Kosovës pritet të fillojnë vitin tjetër dhe çështja kryesore në këto bisedime do të jetë nëse Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë apo do të bëhet e pavarur, siç kërkojnë shumica e shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG