Lidhje

Vujanoviç: zgjidhja e statusit të Kosovës nuk mund të shtyhet - 2004-10-25


Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç deklaroi në Tiranë se kishte mbështetur qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare në thirrjet për pjesmarrjen e serbëve në zgjedhjet në Kosovë, pjesmarrje e cila tha ai do të sillte më shumë vende për ta dhe pakicat e tjera në parlamentin e ri të Kosovës. Këto koment presidenti Vujonovic i bëri sot në Tiranë në përfundim të një takimi me presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu. Presidenti Moisiu nga ana e tij ka deklaruar se me zgjedhjet e ditës së shtunë Kosova ka provuar se ecuria e proceseve demokratike atje është e pakthyeshme.

Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç ndodhet në Tiranë për një vizitë dy ditore në Shqipëri me ftesë të presidentit shqiptar Alfred Moisiu. Takimi mes krerëve të dy shteteve veç analizës së marrëdhënieve dy palëshe nuk ka lënë jashtë vëmendjes zhvillimet në Kosovë, ku vetëm dy ditë më parë u zhvilluan zgjedhjet e reja politike. Zgjedhje në të cilat pakicat serbe thuajse nuk morën pjesë. Lidhur me këtë qëndrim presidenti i Malit të Zi që njihet si pjesë i Unionit me Serbinë është shprehur se ka mbështetur qëndrimin e mbajtur nga komuniteti ndërkombëtar:

"Në Serbi ka patur qëndrime të ndryshme për pjesmarrjen e serbëve. Një qëndrim presidenti dhe tjetër qeveria. Ne në Malin e Zi konsiderojmë se qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar, që përpiqej për pjesmarrjen e serbëve në sistemin institucional është qëndrimi që duhet të përcjellim dhe nëpërmjet të cilit do të sigurohej një pjesmarrje më e madhe e serbëve dhe e jo shqiptarëve në parlamentin e Kosovës. Pjesmarrja e serbëve ishte simbolike – deklaroi Vujanoviç - se ata nuk u orientuan drejt qëndrimit të sugjeruar nga komuniteti ndërkombëtar dhe tani kanë një numër më të vogël se më parë në parlament".

Presidenti i Malit të Zi shpjegoi se vendi i tij nuk ishte në kushtet për të propozuar apo ndërmjetësuar në zgjidhjen e problemit të Kosovës, por shtoi ajo kjo zgjidhje nuk duhet të shtyhet. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë një dialog intensiv, me ndërmjetësinë e komunitetit ndërkombëtar dhe që të çojë në një zgjidhje të shpejtë të statusit dhe standartave.

Edhe presidenti Alfred Moisiu ka përsëritur qëndrimin e tij të njohur se zgjidhja e problemti të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt. Kreu i shtetit shqiptar kishte përshëndetur që dje zhvillimin e qetë të zgjedhjeve në Kosovë.

Në një mesazh dërguar administratorit të Kombeve të Bashkuara Sorren Jessen Petersen, presidenti Moisiu ishte shprehur se “me këto zgjedhje Kosova provoi se ecuria e proceseve demokratike atje është e pakthyeshme, se vota e lirë e qytetarëve jo vetëm konsolidon arritjet e deritanishme por edhe ndërmarrjen hapave vendimtare së bashku me komunitetin ndërkombëtar për njohjen e statusit të saj përfundimtar.

Një provë të pjekurisë demokratike për të ndërtuar një shtet ligjor i konsideroi sot zgjedhjet në Kosovë edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha sipas të cilit në këto zgjedhje u votua për vetvendosjen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG