Lidhje

Irak: zhduken 350 tonë lëndë plasëse nga një objekt ushtarak - 2004-10-25


Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike konfirmoi një njoftim, sipas të cilit 350 ton lëndë shpërthyese janë zhdukur nga një ish objekt ushtarak me rëndësi në Irak.

Zëdhënësja e Agjencisë në Vienë tha se zyrtarët irakianë e informuan agjencinë e saj dy javë më parë lidhur me lëndët shpërthyese që mungonin. Ajo shtoi se Iraku thotë që lënda shpërthyese mungon për shkak të sigurisë së pamjaftueshme në objektin ushtarak.

Kryetari i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike, Mohammed El-Baradei pritet ta informojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sonte lidhur me zhdukjen e eksplozivit.

Agjencia tha se shumica e lëndëve shpërthyese janë të tipit HMX dhe RDX. Ekspertët thonë se ato konsiderohen si lëndët shpërthyese më të fuqishme dhe mund të përdoren për ndërtimin e një bombe bërthmore.

Pentagoni ka dhënë urdhër të zhvillohen hetime mbi lëndët shpërthyese që mungojnë. Në Kombet e Bashkuara, ambasadori amerikan John Danforth tha se është në dijeni të raportit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike; por ai shtoi se nuk ishte menjëherë e qartë përfshirja e Agjencisë në këtë çështje, për arsye se materiali që mungon nuk është bërthamor.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se ushtria amerikane ka filluar hetimet lidhur me lëndët shpërthyese. Ai tha gjithashtu se forcat amerikane nuk mundet t’i ruajnë të 10 mijë qendrat ku mbahen muncionet në Irak. Ai shtoi se një mbrojtje e tillë e qendrave ku mbahen armët në Irak do të kërkonte largimin e 50 mijë trupave amerikane nga fusha e betejës.

Ndërkaq, një zyrtar irakian thotë se masakrimi i afro 50 rekrutëve irakianë të stërvitur nga ushtria amerikane në afërsi me kufirin iranian mund të ketë qenë vepër e kryengritësve që kishin infiltruar në radhët e tyre.

Zëvendës-guvernatori i provincës Diyala i tha televizionit Al Arabija se kjo është e vetmja mënyrë që organizatorët e sulmit të kenë mësuar se kur trupat po largoheshin nga baza ushtarake në afërsi të Bakubës. Ekstremistë të udhëhequr nga terroristi i kërkuar Abu Musab al-Zarkavi, morën përgjegjësinë për sulmin.

Në zhvillime të tjera, të paktën 11 civilë irakianë, një ushtar amerikan dhe një ushtar estonez u vranë sot, ndërsa luftimet u intensifikuan në Irakun qëndror dhe verior. Ndërkohë, qindra demonstrues irakiane me të meta fizike u mblodhën në Bagdad, duke kërkuar që rrëmbyesit të lirojnë drejtoreshën britaniko-irakiane të ndihmave, Margaret Hassan.

XS
SM
MD
LG