Lidhje

Gazetarët pa Kufij: Marrëdhëniet mes medias dhe politikës në Shqipëri janë keqësuar - 2004-10-26


Organizata Gazetarë pa Kufij, thotë se vendet e Azisë Lindore dhe Lindjes së Mesme kanë gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian respektojnë të drejtat e gazetarëve.

Shqipëria radhitet e 50-ta mes 167 vendeve në raportin organizatës Gazetarët pa Kufij të vitit 2004 për lirinë e shtypit. Në pjesën për Shqipërinë thuhet se marrëdhëniet mes medias dhe politikanëve u keqësuan në vitin 2003, me një valë paditjesh për shpifje si edhe me boikotime në dhënien e reklamave, probleme për marrjen e informacioneve nga qeveria dhe një sulm fizik ndaj një gazetari, nga ana e Ministrit të Rendit.

Sipas raportit, në Shqipëri ligjet për shpifje nuk përputhen ende me standardet ndërkombëtare. Një shkelje e tillë është e dënueshme me deri në dy vjet në burg dhe ofendimi ndaj një institucioni publik dënohet me deri një vut burgim.

Dënime të tilla nuk janë dhënë në vitin 2003, por numri i padive penale kundër gazetarëve nga ana e politikanëve vazhdoi të rritej. Në shumë prej çështjeve fituan politikanët, disa herë duke sjellë si rezultat gjoba shumë të mëdha.

Radiot dhe televizionet, që mbahen në masë të madhe nga të ardhurat e reklamave, shumica nga institucionet shtetërore, janë veçanërisht të ekspozuara ndaj presionit qeveritar. Bizneset private ngurrojnë të financojnë media që mbështesin opozitën, ngaqë u druhen inspektimeve të befasishme nga autoritetet e taksave.

Ndërkohë e drejta për të marrë informacione publike nuk është respektuar ashtu siç duhet. Disa shoqata gazetarësh dhe të të drejtave të njeriut paraqitën një ankesë kundër Kryeministrit Fatos Nano në Gjykatën Kushtetuese në tetor, pasi ai kishte urdhëruar ministrat dhe zyrtarët e qeverisë në gusht të vitit 2002 që të mos flisnin me gazetarët. Por para se Gjykata të jepte vendimin, zyra e kryeministrit e hoqi një rregull të tillë, më 18 nëntor.

Në raport përmendet i sulmit fizik të kryeredaktorit të lajmeve të televizionit Vizion + Ilir Babaramo nga ana e Ministrit të Rendit, Luan Rama. Ministri Rama, mohoi ta kishte bërë një gjë të tillë, por incidenti solli si pasojë largimin e tij nga detyra. Në raportin e tretë të përvitshëm për lirinë e shtypit, kjo organizatë thotë se organet e pavarura të shtypit në vendet e Azisë Jugore dhe Lindjes së Mesme, ose nuk ekzistojnë fare, ose gazetarët censurohen ose përndiqen vazhdimisht. Koreja e Veriut renditet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit.

Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 22-të. Në raport shprehet shqetësimi për arrestimin e disa gazetarëve gjatë demonstratave kundër Presidentit Bush.

Vendet e Evropës Perëndimore të kryesuara nga Danimarka, renditen të parat me gjendjen më të mirë të shtypit mes 167 vendeve dhe territoreve të përfshira në vëzhgim.

Por në raport thuhet se qeveritë në shumë ish-republika sovjetike shpeshherë e frenojnë lirinë e shtypit.

Rusia renditet në vendin e 140 përsa i përket gjendjes së lirisë së shtypit. Në raport thuhet se mbulimi i krizës së pengjeve në Beslan të Osetisë Veriore ishte i njëanshëm dhe se raportimi tregoi se Kremlini kontrollon stacionet televizive të vendit.

XS
SM
MD
LG