Lidhje

Kosovë: vazhdojnë negociatat për koalicionin e ri  - 2004-10-27


Në Kosovë po vazhdojnë negociatat për formimin e një koalicioni të ri që do të qeverisë vendin pas zgjedhjeve të përgjtihshme parlamentare të së shtunës. Kryesia e rradhës e OSBE-së, kërkoi sot që udhëheqësit politikë të sigurojnë formimin e shpejtë të institucioneve të reja.

Kryesia e rradhës e OSBE tha sot se zgjedhjet e 23 tetorit në Kosovë janë një hap përpara në procesin e konsolidimit të qëndrueshmërisë dhe demokracisë në Kosovë. Kryesuesi i rradhës i OSBE-së, Minisri i Jashtëm bullgar Solomon Pasi, u citua nga zyra e OSBE-së në Prishtinë, të ketë thënë se "përfshirja e bashkësisë ndërkombëtare në organizimin e zgjedhjeve në një ambient të qetë dhe paqësor është një dëshmi e fuqishme e angazhimit të saj të vazhdueshëm për të siguruar qëndrueshmëri dhe zhvillim në Kosovë,".

OSBE-ja vlerësoi gjithashtu punën e bërë nga organi vendor i organizimit të zgjedhjeve, sekretariati i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, i cili sipas saj, dëshmoi se është rezultativ dhe i aftë. Zoti Pasi shprehu gjithashtu keqardhjen për pjesëmarrjen jashtëzakonisht të vogël të serbëve të Kosovës në këto zgjedhje ndërkohë që përshëndeti ata pak serbë qe votuan, duke inkurajuar njëkohësisht bashkësinë serbe që të marrë pjesë në punën e institucioneve të Kosovës. "Kjo është një mënyrë demokratike e pranuar gjerësisht për të mbrojtur dhe promovuar interesat e tyre kombëtare," tha ai.

Kryesia e radhës e OSBE-së u bëri gjithashtu thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të sigurojnë formim të shpejtë të Institucioneve te reja të Përkohshme vet-Qeverisëse.

Në të vërtetë, në Prishtinë, po vazhdojnë negociatat për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Ka pasur dhe vazhdon ende të ketë në diskutim një numër variantesh për koalicionimet e mundshme midis partive që fituan numrin më të madh të votave, Lidhjes Demokratike të presidentit Ibrahim Rugova, Partisë Demokratike të kryesuar nga Hashim Thaçi, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të kryesuar nga Ramush Haradinaj dhe listës qytetare Ora të kryesuar nga Veton Surroi.

Media vendase në Prishtinë citonte sot burime të administratës ndërkombëtare që sipas saj kanë thënë se janë të interesuar për të pasur një koalicion qeverisës tri-partiak si ai që qeverisi Kosovën vitet e fundit, por zyrtarisht, administrata ndërkombëtare ka thënë se nuk do të përzihet në negociatat për koalicionin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG