Lidhje

Si do të shkojnë votimet në Florida këtë herë? - 2004-10-27


Në mbarë Shtetet e Bashkuara mijëra juristë janë përgatitur të ngrenë padi gjyqësore lidhur me ndonjë parregullsi që mund të vërehet gjatë zgjedhjeve të 2 nëntorit. Megjithëse akt-paditë nuk janë një praktikë e re në procesin zgjedhor amerikan, mobilizimi i juristëve në emër të kandidatëve, partive politike dhe grupeve me interesa të veçanta, nuk është parë ndonjëherë në këto përmasa. Shqetësimi për probleme të mundshme e ka burimin tek përvoja e katër vjetëve më parë, kur vendi përjetoi 5 javë polemika ligjore lidhur me votimet në Florida.

Në mbrëmjen e 7 nëntorit të vitit 2000, pasi u mbyllën qendrat e votimit, filluan të shpallen rezultatet dhe rrjetet kryesore televizive parashikuan se nënpresidenti Al Gore kishte siguruar një fitore me rezultat të ngushtë në Florida. Disa orë më pas, televizionet shpallën fitues presidentin Bush. Por edhe ky parashikim u tërhoq me komentet se gara kishte qenë shumë e fortë dhe ishte e vështirë të parashikohej fituesi.

Nënpresidenti Gore, i cili ishte përgatitur t’i uronte fitoren George Bushit, e anuloi fjalimin dhe dërgoi drejtorin e fushatës Bill Daley të fliste para përkrahësve: "Derisa të përfundojë rinumërimi i votave dhe rezultatet e Floridës të shpallen zyrtarisht, fushata vazhdon", tha zoti Daley. Kombi po i ndiqte i shtangur zhvillimet.

Numërimi fillestar në Florida arriti në përundimin se George Bushi kishte një epërsi prej afro 2 mijë votash nga thuajse 6 milion zgjedhës që kishin votuar në atë shtet. Asnjëri nga kandidatët nuk mund të siguronte presidencën, pa siguruar fitore në Florida. Epërsia e vogël e presidentit u vërtetua nga rinumërimi me një pajisje automatike. Ky përfundim çoi në një nga proceset ligjore më të zellshme në historinë amerikane.

Zoti Gore kërkoi numërimin me dorë të votave në katër komuna të Floridës me shumicë dërrmuese demokrate: "Koha është e rëndësishme. Por edhe më e rëndësishme është numërimi i çdo vote me saktësi", tha zoti Gore.

Ekipi i presidentit tha se numërimi i përzgjedhur me dorë përbënte një proces të padrejtë. Karen Hughes ishte zëdhënëse e fushatës: "Po bëhet gjithnjë e më e qartë se fushata e nënpresidentit Gore synon të vazhdojë numërimin derisa t’u vijë për shtat rezultati", tha zonja Hughes.

Sistemi i votimit në Florida u bë objekt i shumë polemikave, pasi shumë nga fletëvotimet nuk ishin shënuar si duhet dhe nuk ishin numëruar. Gjithashtu votuesit në komunën Palm Beach u ankuan se ishin të paqartë për mënyrën sesi ishin shkruar emrat në fletë-votime, kështu që kishin votuar gabimisht për kandidatin e Partisë Reformatore Pat Buchanan, megjithëse ishin përkrahës të nënpresidentit Gore.

Një gjykatë i hodhi poshtë përpjekjet e zotit Gore për të zgjatur afatin e datës 14 nëntor për rinumërimin e votave, por ky vendim u anulua nga Gjykata e Lartë. Numërimi me dorë i votave vazhdoi deri më 26 nëntor. Megjithatë, vetëm 2 nga 4 komuntat që kishte kërkuar zoti Gore arritën të rinumërojnë votat brenda afatit. Komuna Palm Beach përfundoi me dy orë vonesë.

Pak pas skadimit të afatit, Sekretarja e Shtetit Florida Katherine Harris, e Partisë Republikane, i shpalli rezultatet të vlefshme. George Bush kishte fituar me një diferencë prej 537 votash. "Unë deklaroj guvernatorin George Bush fitues të 25 votave elektorale të Floridës për president të Shteteve të Bashkuara", tha zonja Harris.

Ekipi i zotit Gore nuk po epej dhe filloi t’i sfidonte rezultatet, duke kërkuar një rinumërim të votave në disa komuna. Më shumë se 1 muaj pas zgjedhjeve, Gjykata e Lartë e Floridës dha urdhër për rifillimin e numërimit me dorë të votave, por një ditë më pas Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e anuloi këtë vendim.

Nënpresidenti Gore nuk kishte më kohë apo alternativa ligjore. George Bushi mori 25 votat elektorale të Floridës dhe presidencën, dhe në janar 2001 bëri betimin si president.

Këtë vit, guvernatori i Floridës Jeb Bush, vëllai i presidentit, ka premtuar përmirësime në procesin e numërimit të votave në shtetin e tij: "Kemi bërë ç’është e mundur për t’u siguruar që njerëzit kanë mundësi të regjistrohen për të votuar dhe që kushtet t’ua bëjnë të volitshëm votimin", thotë guvernatori.

Si do të shkojnë votimet në Florida këtë radhë? Të presim datën 2 nëntor dhe do ta shohim.

XS
SM
MD
LG