Lidhje

SHBA: në 2 nëntor amerikanët nuk do të zgjedhin vetëm presidentin dhe anëtarët e Kongresit - 2004-10-28


Hedhja e votës për presidentin, ditën e zgjedhjeve është vetëm një pjesë e procesit politik. Në më shumë se gjysmën e shteteve votuesve do tu kërkohet të vendosin mbi një numër iniciativash dhe referendumesh që mund të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të qeverisë në vitet e ardhshme. Ndërkohë që referendumet hidhen në votim nga legjislatura e shtetit, iniciativat vijnë nga votuesit. Kristina Wilfore është drejtoreshë ekzekutive e qendrës për Iniciativa Strategjike me qendër në Washington, grup që përkrah iniciativat në votime.

"Këto iniciativa janë masa që qytetarët propozojnë për të ndryshuar ligjin. Ata grumbullojnë firma për të formuluar një ligj dhe për ta hedhur atë në votë".

Në Kaliforni, votuesit do të përballen me një numër çështjesh përfshi Propozimin 71 i cili do të lejonte këtë shtet të marrë hua 3 miliardë dollarë për kërkime mbi qelizat embrionale. Grupe nga të dyja palët po bëjnë fushatë në media për të bindur votuesit.

Ndër çështjet më interesante që do të hidhen në votë është propozimi për të ndryshuar mënyrën sesi Koloradoja jep nëntë votat elektorale për presidentin. Sot për sot, zgjedhjet i fiton kandidati presidencial që fiton më shumë vota elektorale dhe jo popullore.

Sipas propozimit, në Kolorado, shteti do ta ndryshojë këtë praktikë duke i dhënë fitoren atij kandidati që del më mirë në votën popullore. Në se kjo miratohet do të hyjë në fuqi menjëherë dhe mund të ketë një ndikim të drejtëpërdrejtë në rezultatet presidenciale të këtij viti.

Por ka çështje të tjera që gjithashtu do të kenë ndikim në përcaktimin e presidentit të ardhshëm. Në disa shtete të rëndësishme, dy partitë kryesore politike po i përdorin iniciativat për të mbështetur bazën e tyre.

Republikanët shpresojnë se votat për të ndaluar martesat e të njëjtit seks do të ndryshojnë rezultatet në Ohio, Oregon dhe Michigan në favor të presidentit republikan George Bush. Strategët e partisë demokrate besojnë se iniciativa për të rritur pagën minimale në Florida dhe Nevada do të sigurojnë mbështetje për senatorin John Kerry.

Taksat janë çështja më e ndjeshme për votën e 2 nëntorit dhe që pasohet me arsimin dhe ambjentin. Kristina Wilfore thotë se votuesit ka më shumë të ngjarë të shkojnë në votime kur duhet të vendosin mbi iniciativa të tilla lokale.

"Ka një rritje prej 3 deri në 9 përqind të votuesve në shtetet që kanë për të miratuar iniciativa krahasuar me ato që nuk kanë".

Tërheqja e votuesve shton ajo, është një mundësi për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes në shtetet e tyre.

//ze//

XS
SM
MD
LG