Lidhje

Katër ditë para zgjedhjeve presidenciale-videokasetë e re e Osama Bin Ladenit - 2004-10-30


Udhëheqësi i rrjetit al-Kaida, Osama bin Laden, pranoi për herë të parë se ai kishte qenë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe kërcënoi se do të kryejë sulme të tjera kundër Shteteve të Bashkuara.

Në një videokasetë të re, të transmetuar katër ditë para zgjedhjeve presidenciale amerikane, bin Ladeni kritikon Presidentin Bush për veprimet e tij gjatë sulmeve të 11 shtatorit tre vjet më parë, duke thënë se presidenti u lexonte një tregim fëmijëve të një shkolle, duke lënë 50 mijë bashkëatdhetarë të tij në dy kulla binjake të përballeshin vetëm me zhvillime tmerruese.

Ai e akuzoi Presidentin Bush edhe se kishte mashtruar popullin amerikan dhe thotë se arsyet pas sulmeve të 11 shtatorit janë kryesisht politikat amerikane pro izraelite në Lindjen e Mesme. Udhëheqësi terrorist u tha amerikanëve se siguria e tyre nuk është në duart e Presidentit Bush apo të rivalit të tij, por varet nga politikat amerikane.

Duke reaguar ndaj videokasetës, Presidenti Bush tha se Amerika nuk do të ndikohet dhe as gjunjëzohet para armiqve. Zoti Bush tha se është i sigurt që edhe kandidati demokrat për president, Xhon Kerri, pajtohet me këtë qendrim.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se administrata e Presidentit Bush mendon se videokaseta është autentike dhe e regjistruar kohët e fundit. Ai tha se nuk do të bëhen ndryshime të menjëhershme në nivelin e gatishmërisë ndaj kërcënimeve terroriste por nëse videokaseta përmban informacion që kërkon ndërmarrjen e veprimeve, Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë një gjë të tillë.

Senatori Kerri tha se nëse zgjidhet president, ai do të bëjë ç’është e mundur për t’i ndjekur, kapur ose vrarë terroristët. Ai tha se amerikanët janë të bashkuar në vendosmërinë e tyre për të shkatërruar Osama bin Ladenin.

Bin Ladeni u paraqit herën e fundit në një videokasetë të transmetuar nga televizioni al-Xhazira dy vjet më parë.//IB

XS
SM
MD
LG