Lidhje

Ndikimi i zgjedhjeve presidenciale në marrëdhëniet euro-amerikane - 2004-11-02


Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, dy historianë, një evropian dhe një amerikan, diskutuan rreth ndikimit të mundshëm të këtyre zgjedhjeve në marrëdhëniet euro-amerikane.

Timothy Garton Ash, profesor në Oksford dhe gazetar, është i njohur për vëzhgimin e tij të kujdesshëm të skenës evropiane. Në librin e tij të ri me titull “Bota e lirë, Amerika, Evropa dhe e ardhmja e papritur e Perëndimit” ai shpjegon me hollësi kompleksitetin e periudhës pas Luftës së Ftohtë.

Në një diskutim të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, ai tha se zgjedhjet e tanishme presidenicale në Shtetet e Bashkuara priten me një interesim të pashembullt në Evropë. "Nuk më kujtohen zgjedhje të tjera në Amerikë, që evropianët të ishin kaq të interesuar dhe të dëshironin të kishin të drejtën të votonin. Në fakt, unë nuk e di se pse ne nuk votojmë. Në fakt këto janë zgjedhje botërore dhe janë tepër të rëndësishme për të."

Zoti Ash beson se pjesa më e madhe e Evropës ka bindjen se John Kerry është kandidati më i përshtatshëm për të realizuar pajtimin evropiano - amerikan. Me përjashtim të disa shteteve si Polonia dhe deri në një farë mase, Rusia, tha zoti Ash, sipas anketimeve në vendet evropiane do të preferonin që zgjedhjet t'i fitonte zoti Kerry. "Për mendimin tim rizgjedhja e Presidentit Bush do ta bënte procesin tepër të vështirë. Stereotipizimi negativ i Bushit është tejet i theksuar në shoqëritë evropiane."

Zoti Ash thotë se në qoftë se George Bushi rizgjidhet për një mandat të dytë shumë evropianë do të mobilizohen për ta bërë evropën, siç shprehet ai, “një superfuqi rivalizuese”, Kjo do të shkaktonte një ftohje edhe më të madhe të marrëdhënieve transatlantike dhe ndarje të rrezikshme në Evropë.

Pjesëmarrësi tjetër në diskutimin e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, analisti politik i Harvardit, Joseph Nye, autor i librit të famshëm, “Paradoksi i fuqisë amerikane: Pse superfuqia e vetme e botës nuk mund të ecë vetëm”, paralajmëron se zgjedhja e John Kerry-it mund t’u ngjallë shumë shpresa të parealizueshme evropianëve. "Një nga çështjet interesante është nëse evropianët janë të aftë të qendrojnë të bashkuar. Kam mendimin se fitorja e Kerrit nuk është e mjafteshme për këtë."

Çdo president amerikan, thotë zoti Nye, duhet të merret menjëherë me katër çështje të vështira ndërkombëtare: Iraku, Irani, Korea e Veriut dhe Kina e Tajvani. Edhe në qoftë se bëhen ndryshme në Shtëpinë e Bardhë, evropianët mund të vazhdojnë ta kritikojnë Amerikën për ato çështje, në vend që të luajnë një rol aktiv në zgjidhjen e tyre.

Zoti Nye thotë se të dy anët e Atlantikut duhet ta kuptojnë se hegjemonia e Amerikës është në një masë të konsiderueshme iluzive. Superioriteti i saj i padiskutueshëm nuk është shumë i vlefshëm kur kemi të bëjmë me problemet kryesore ndërnacionale që ka përballë bota sot. "Kur i hedh një vështrim çështjeve si trafiku i narkotikëve, apo përhapja e sëmundjeve ngjitëse, dhe veçanërisht shtrirja e terrorizmit ndërkombëtar, nuk ka asnjë kuptim që ne të quhemi fuqi botërore."

Si zoti Ash ashtu si edhe zoti Nye janë të mendimit se cilido që të jetë president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2005, e vetmja mundësi për ta bërë botën të sigurt dhe të begatë në shekullin e 21-të është që të gjitha demokracitë kryesore të veprojnë bashkërisht.// lk //

XS
SM
MD
LG