Lidhje

Kandidatët presidencial vazhduan fushatën edhe në ditën e votimit - 2004-11-02


Dhjetra miliona amerikanë po presin në radhë të gjata për të votuar në mbarë Shtetet e Bashkuara. Anketat e opinionit publik tregojnë se ditën e zgjedhjeve vendi është i ndarë në mënyrë të barabartë midis presidentit republikan George Bush dhe kandidatit demokrat, John Kerry.

Numri i madh i votuesve tregon rritjen e interesit të publikut për zgjedhjet elektorale të këtij viti. Ekspertët parashikojnë një pjesëmarrje rekord.

Si presidenti Bush edhe senatori Kerry i kaluan ditët para zgjedhjeve duke bërë ndalesa për fushatë në disa shtete. Vëmendja e tyre u përqëndrua në të ashtuquajturat shtetet kyçe ku rezultatet pritet të jenë shumë të ngushta.

Ditën e sotme, të dy partitë politike kanë ndërmarrë përpjekje masive për të nxitur përkrahësit e tyre në qendrat e votimit, edhe pse të dyja palët janë të vëmendshëm për çrregullime të mundshme në votime. Sot në mëngjes, presidenti Bush, zonja Bush dhe vajzat e tyre hodhën votën në një qendër votimi në afërsi të fermës së tyre në Teksas. Pas kësaj, presidenti foli për gazetarët.

"Kam besim në gjykimin e popullit amerikan. E dua demokracinë tonë dhe kam besim të madh në zgjuarësinë e njerëzve të këtij vendi", tha presidenti.

Ndryshe nga tradita, të dy kandidatët vazhduan fushatën edhe ditën e votimit.

Presidenti Bush ka në plan të ndjek rezultatet e votimit nga Shtëpia e Bardhë pas një ndalese në Ohio.

Paradite, senatori Kerry ishte në shtetin Wisconsin ku ai personalisht shpërndau paketa informative punonjësve të fushatës. Gazetari i Zërit të Amerikës që po ndjek fushatën e zotit Kerry tha se senatori dukej i qetë. "Është ai momenti magjik kur demokracia më e madhe në sipërfaqen e planetit i tregon botës se si punojmë ne. Dhe së bashku ne do të ndryshojmë drejtimin e vendit tonë", tha senatori Kerry.

Senatori Kerri votoi në qytetin e tij të Bostonit, në Massachusetts. Gruaja e tij votoi sot paradite në Pennsylvania, një tjetër shtet kritik ku rezultati pritet të jetë i ngushtë.

Votuesit zunë rradhë para qendrave të votimit në mbarë vendin. Në Columbus, Ohio, votuesja Harriet Robinson tha se ishte e impresionuar nga ajo që pa.

Rradhë të gjata janë njoftuar në shumë qendra votimi në mbarë vendin. Disa probleme me makinat e votimit dhe listat e votuesve të regjistruar janë njoftuar në shtete ku gara po vëzhgohet me vëmendje nga të dyja palët.

Vëzhguesit e zgjedhjeve thonë se presin që më shumë se 120 milion njerëz të votojnë në këto zgjedhje rreth 60 përqind e votuesve të regjistruar. Rreth 54 përqind e votuesve të regjistruar mori pjesë në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Rezultati pritet të jetë i ngushtë. Anketat e opinionit publik tregojnë se amerikanët janë të ndarë në mënyrë të barabartë në mbështetjen e tyre për dy kandidatët, për një numër çështjesh, përfshi Irakun, ekonominë, problemet sociale dhe sigurimin.

XS
SM
MD
LG