Lidhje

Zgjedhjet në SHBA vëzhgohen për herë të parë nga OSBE-ja - 2004-11-02


Një numër i madh votuesish në Florida hodhën votën e tyre më herët. Në shtetin problematik për zgjedhjet e katër viteve më parë, kanë mbërritur një numër vëzhguesish ndërkombëtar, përfshi ata të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë të cilët marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ata kanë shkuar në këtë shtet për të parë me një sy kritik procesin e votimit.

Këtu përfshihen vëzhgues nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. OSBE-ja ka monitoruar zgjedhjet në vende të tjera, kryesisht në Evropë dhe kjo është hera e parë që kjo organizatë merr pjesë në zgjedhjet elektorale në Shtetet e Bashkuara.

OSBE-ja u ftua nga Departamenti amerikan i Shtetit për të monitoruar zgjedhjet e këtij viti dhe ka dërguar vëzhgues në një numër shtetesh.

Midis tyre edhe në Florida ku rezultatet e zgjedhjeve të mëparëshme ishin të debatueshme dhe në Ohio ku vota e këtij viti pritet të jetë shumë e ngushtë.

Organizata thotë se synimi kryesor është ndihmesa për të rritur besimin në procesin elektoral.

“Çështja kryesore do të jetë nëse administrata do të jetë në gjendje ti zhvillojë zgjedhjet në mënyrë jopartiake dhe të sigurojë besimin e të gjithë pjesmarrësve në proces”, thotë Konrad Olszewski, vëzhgues i OSBE-së.

Vëzhgues të tjerë përfshijnë një grup ndërkombëtar nga 15 vende të ftuar nga një organizatë jofitimprurëse amerikane që quhet Global Exchange.

Në Florida vëzhguesit do të jenë në Miami, West Palm Beach dhe Fort Lauderdale dhe një pjesë tjetër në kryeqytetin Tallahassee.

Ky grup thotë se ka shqetësime rreth votimit me kompjutera që po përdoret në 15 zona të Floridas dhe mungesës së dokumentacionit në rast të numërimit të votave.

“Nuk më shqetëson fakti që kur njerëzit shkojnë në votim duhet të prekin ekranin e kompjuterit për të zgjedhur kandidatin e tyre, por problemi është se nuk mbetet asnjë provë në se vjen puna për të rinumëruar votat”, thotë Carwyn Jones, vëzhgues me organizatën Global Exchange. Deri tani, anëtarët e organizatës thotë se nuk kanë parë ndonjë problem.

XS
SM
MD
LG