Lidhje

Republikanët forcojnë kontrollin mbi Kongresin amerikan - 2004-11-04


Republikanët po forcojnë kontrollin mbi Kongresin amerikan. Tani, demokratët po shtrojnë pyetjet e vështira sesi humbën zgjedhjet presidenciale dhe pse pësuan humbje edhe në të dyja dhomat e Kongresit. Me zgjerimin e kontrollit të tyre në Dhomën e përfaqësuesve prej 435 anëtarësh, republikanët rritën shumicën e tyre në këtë dhomë të Kongresit dhe hynë edhe në faqet e historisë. Anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Tom Reynolds, i cili kryeson komitetin kombëtar republikan në Kongres, tha se për herë të parë, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë rritur shumicën e tyre në dy zgjedhje me radhë. Kjo, tha deputeti Reynolds, është e gjashta herë me radhë që ata gëzonin shumicën në këtë dhomë të Kongresit që nga vitit 1928. Këtë herë në Dhomën e Përfaqësuesve u zgjodh numri më i madh i republikanëve që nga viti 1946, gjithsej 231.

Gjatë muajve deri në zgjedhjet e 2 nëntorit, udhëheqësit e Dhomës së Prfaqësuesve parashikonin se deri në 14 deputetë republikanë mund të humbnin vendin. Kjo nuk ndodhi dhe demokratët as që iu afruan objektivit të 12 vendeve shtesë që u nevojiteshin për të marrë nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve.

Në Teksas, një riorganizim i zonave elektorale i hartuar nga republikanët çoi në humbjen e 4 prej 5 deputetëve demokratë, përrshirë dy anëtarë të vjetër të Dhomës së Përfaqësuesve. Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë gjithashtu se udhëheqja e fuqishme republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Denis Hastert si kryetar i dhomës dhe Tom Delay si udhëheqësi i shumicës, do të qendrojë në fuqi kur Kongresi i 109 të mblidhet në janar.

Ndoshta goditjen më të rëndë demokratët e pësuan në Senat, ku udhëheqësi i pakicës, Tam Deshëll, humbi në shtetin e tij të lindjes Dakota e Jugut, duke u bërë udhëheqësi i parë partiak në Senat që humbet në garë për një mandat tjetër. Zoti Deshëll tha se kishte pasur rastin t'i shërbente shtetit të tij në Kongres si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, si anëtar i Senatit, si udhëheqës i pakicës demokratike në Senat dhe si udhëheqës i shumicës demokratike në Senat.

Në garën për në Senatin prej 100 anëtarësh, republikanët u paraqitën mirë në shtetet jugore. Duke u mbështetur në rezultatet e fundit të zgjedhjeve, ata e kanë zgjeruar shumicën e tyre nga 51 në 55 vende. Demokratët kanë filluar tashmë procesin e vlerësimit se ku kishin gabuar, jo vetëm për sa u përket zgjedhjeve presidenciale por edhe atyre për në Kongres. Deputeti demokrat afrinako amerikan Albert Win thotë se ai mendon se demokratët do të tregohen shumë të kujdesshëm dhe nuk do të marrin ndonjë vendim të ngutur, të thonë se ne duhet të shkojmë drejt qendrës së spektrit politik apo se çdo gjë ka të bëjë me çështje morale. Ai tha se demokratët duhet të kthehen një hap prapa dhe të bëjnë një vlerësim kritik dhe të bëjnë dallimin midis fajësimit dhe vlerësimit kritik.

Kongresi do të kthehet në punë për pak kohë nga fundi i këtij muaji për t’u marrë me veprimtari të papërfunduara legjislative nga Kongresi i 108. Mirëpo, udhëheqësit republikanë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve kanë filluar tashmë të diskutojnë rreth programit të Kongresit të ri, ndërkohë që ata presin të dëgjojnë nga Presidenti rreth programit të tij. //bsa//

XS
SM
MD
LG