Lidhje

Presidenti Bush parashtron planin për mandatin e dytë - 2004-11-05


Presidenti Bush tha se gjatë mandatit të tij të dytë ai do të punojë shumë për realizimin e përparësive të tij të brendshme dhe të jashtme. Ai ka ofruar të bashkëpunojë me kundërshtarët e tij politikë, por në të njëjtën kohë e ka bërë të qartë se do të luftojë për programet dhe politikat në të cilat beson.

Toni i presidentit Bush pas fitores së tij në zgjedhje ishte i vendosur dhe optimist. Në një konferencë shtypi pas zgjedhjeve, ai tha se po fillon mandatin e dytë me mbështetje të fortë nga elektorati amerikan. Presidenti tha se këtë javë, votuesit amerikan caktuan drejtimin për katër vitet e ardhshme dhe se ai ndihei i nderuar nga mbështetja e bashkëqytetarëve të tij dhe se ishte i gatshëm të kryej detyrën.

Platforma tij për mandatin e ri është e njohur. Lufta kundër terrorizmit është në krye të listës, siç është ndryshimi i kodit të taksave dhe problemet me programet masive qeveritare që sigurojnë pensionet dhe kujdesin shëndetësor për të moshuarit. Kur fiton, të ngjallet ndjenja se njerëzit kanë folur dhe janë pajtuar me pikëpamjet tuaja. Dhe këtë e kam ndër mend t’ia them kongresit: se unë e kam bërë të qartë se çfarë kam ndër mend të bëj si president, dhe njerëzit e kanë bërë të qartë se çfarë kërkojnë, tani le të punojmë së bashku, tha presidenti Bush.

Presidenti Bush nuk e përdori asnjëherë fjalën mandat, po nuk la asnjë dyshim se beson që ai ka një shtysë të fortë politike si rezultat i zgjedhjeve. Unë fitova kapital gjatë fushatës, kapital politik dhe tani dua ta shpenzoj, tha presidenti Bush.

Presidenti nuk dha hollësi për sa u përket objektivave të politikës së tij tëjashtme. Ai theksoi se do të vazhdojë kursin e tanishëm në Irak, pavarësisht nga kritikat e disa aleatëve të vjetër, si Franca dhe Gjermania. Presidenti u zotua se do të bënte ç’ishte e mundur, në bashkëpunim me vende të tjera, për të fituar luftën kundër terrorizmit. Çdo vend i qytetëruar ndikohet nga rezultati i kësaj lufte. Pa marrë parasysh mosmarrëveshjet tona të kaluara, ne kemi të njëjtin armik. Dhe ne kemi detyra të përbashkëta: të mbrojmë popujt tonë, të luftojmë sëmundjet, urinë dhe varfërinë në vendet e trazuara të botës, tha presidenti Bush.

Presidenti Bush nuk tha asgjë rreth mundësisë se ndryshimit të këshilltarëve të tij për politikën e jashtme gjatë mandatit të dytë. Ai tha se nuk ka marrë vendime për sa i përket kabinetit të tij, por shtoi se këto janë punë shumë kërkuese për vetë zyrtarët dhe familjeve të tyre. Ai pranoi se do të bëheshin disa ndryshime, por tha se akoma nuk e dinte se cilat do të ishin ata. Megjithatë, ndryshimet janë të pashmangshme. Kjo ndodh në çdo administratë. Mes atyre që kanë treguar se mund të duan t’i lënë pozitat e tyre të larta janë Këshilltarja për Siguriminë Kombëtare, Kondoliza Rajs, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Xhon Ashkroft. //bsa//

XS
SM
MD
LG