Lidhje

Presidenti Bush kërkon bashkëpunimin e demokratëve - 2004-11-06


Presidenti Bush e shfrytëzoi fjalimin e tij të përjavshëm në radio për të shpalosur planet për mandatin e tij të dytë. Ai gjithashtu u bëri thirrje bashkëpunimi demokratëve të opozitës si dhe aleatëve jashtë vendit. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë korrespondenti ynë Scott Stearns, demokratët thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me presidentin.

Tani që zgjedhjet kanë përfunduar, tha Presidenti Bush, ka ardhur koha që të gjithë amerikanët ta drejtojnë vështrimin nga e ardhmja, duke vazhduar luftën kundër terrorizmit dhe duke u përpjekur për shpejtimin e ritmeve të rritjes ekonomike. Gjithashtu, ai u bëri thirrje për bashkëpunim vendeve që kanë patur mosmarrëveshje me administratën për politikën e saj të jashtëme, sidomos lidhur me vendimin e saj për të ndërhyrë në Irak.

"Republikanët, domokratët dhe të pavarurit e duan vendin tonë dhe së bashku ne do të mbrojmë popullin amerikan. Ne nuk do të heqim dorë deri sa armiku të jetë mposhtur dhe vendi ynë të jetë jashtë rrezikut. Gjithashtu, çdo vend i qytetëruar është i interesuar për rezultatin e kësaj lufte. Pavarësisht nga mosmarrëveshjet tona në të kaluarën, ne kemi të njëjtin armik dhe detyra të përbashkëta për të përballuar sëmundjet, urinë dhe varfërinë në rajonet e shqetësuara të botës sonë,” tha presidenti Bush.

Në politikën e brendshme, tha presidenti, ai do të punojë për zbatimin e premtimeve të fushatës, siç janë rishikimi i rregulloreve të taksave, vënia e kufizimeve për njerëzit që përpiqen të përfitojnë nga proceset gjyqësore kundër mjekëve dhe ndryshimi i mënyrës së financimit të programit qeveritar për pensionet.

Pas fitores me 3 milion vota më shumë kundër rivalit demokrat, senatorit John Kerry në zgjedhjet presidenciale, gjë që u shëqërua me forcimin e shumicës republikane në të dyja dhomat e Kongresit, Presidenti Bush përsëri u bëri thirrje demokratëve duke u thënë se realizimi i synimeve të tij kërkon mbështetjen e gjerë të të gjithë amerikanëve.

"Për ta bërë vendin më të fortë dhe më të mirë, mua do të më duhet mbështetja e republikanëve, e demokratëve dhe e të pavarurve dhe unë do të përpiqem ta meritoj atë. Do të bëj ç’është e mundur për të merituar besimin tuaj. Një mandat i ri është një shans i ri për të kërkuar bashkëpunimin e të gjithë vendit. Ne kemi një vend të vetëm, një kushtetutë dhe një të ardhme që na lidh me njëri-tjetrin. Dhe kur ne bashkohemi dhe punojmë së bashku, madhështia e Amerikës nuk njeh kufi,"tha Presidenti Bush.

Në fjalimin e mbajtur në radio në emër të demokratëve, udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaëqsuesve, Nancy Pelosi e Kalifornisë, tha se partia e saj është e gatshme të punojë me Presidentin Bush gjatë mandatit të tij të dytë.

"Presidenti Bush përballet me sfida të mëdha në ditët dhe muajt që vijnë. Jashtë vendit, gjendja është e mbushur me rreziqe dhe brenda vendit ekzistojnë premtime të papërmbushura. Dhe, ashtu siç ka ndodhur këto katër vitet e fundit, vendi vazhdon të jetë i përçarë. Por përçarja jonë partiake, në vend që të jetë shkak për mosveprim, duhet të jetë një thirrje për kompromis dhe për veprime të zgjuara."

Zonja Pelosi tha se amerikanët janë më të fortë si vend kur ata qendrojnë në një emërues të përbashkët.

"Shpresoj se gjatë këtij mandati, Presidenti Bush do të realizojë premtimin e tij për të qenë bashkues dhe jo përçarës. Në fakt, një mandat i ri është një rast i ri për ta bashkuar përsëri Amerikën,” tha zonja Pelosi.

Ajo tha se demokratët do të punojnë me administratën Bush për të reformuar sistemin e agjencive amerikane të zbulimit dhe për të forcuar arsimin dhe shëndetësinë. Por demokratët thonë se do t’u qendrojnë pikëpamjeve të tyre që janë kundër ndryshimeve në programin federal të pensioneve pasi sipas zonjës Pelosi, ndryshimet e propozuara nga Presidenti do të shkurtonin përfitimet për popullatën.

Presidenti dhe zonja Bush po e kalojnë fundjavën në vendpushimin presidencial Camp David në malet jashtë Uashingtonit. Zoti Bush tha se po shqyrton mundësinë për ndryshime në kabinet dhe në stafin e tij të Shtëpisë së Bardhë.//ii

XS
SM
MD
LG