Lidhje

E ardhmja e fluturimeve në hapësirë - 2004-11-07


Kohët e fundit, një mjet fluturues i ndërtuar privatisht - SpaceShipOne - udhëtoi 100 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës dhe u kthye pa probleme duke fituar kështu çmimin prej 10 milionë dollarësh të ofruar nga një fondacion privat me qendër në Dallas të Texasit. Tani ka plane që ky mjet fluturues të kthehet në një ndërmarrje komerciale e cila do t’u ofronte individëve të zakonshëm shansin të udhëtonin në hapësirë.

Suksesi i SpaceShipOne entuziazmoi komunitetin e amatorëve të hapësirës. Fluturimi privat i saj kushtoi vetëm sa një fraksion i vogël i shpenzimeve që qeveria amerikane bën me anë të Administratës Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës - NASA - për anijet e saj hapësinore.

A mundet që fluturimet private të përbëjnë fazën e ardhshme të rëndësishme në zhvillimet hapësinore? Robert Oler - pilot dhe bashkthemelues i Grupit Lake Clear, që përpiqet për një përfshirje më të madhe private në këtë fushë - mendon se PO.

“Tek amerikanët, që nga 1910-ta apo 1920-ta, ekziston dëshira për të fluturuar. Tek amerikanët ekziston dëshira për të shkuar në hapësirë. Shumë prej atyre që po vështronin fluturimin e SpaceShipOne, nuk ishin shkencëtarë hapësire, inxinierë apo matematicienë. Ishin njerëz që u bënë dëshmitarë të këtij fluturimi dhe thanë me vete: Një ditë mund të fluturoj me këtë mjet,” thotë zoti Oler.

Por ai dhe shumë të tjerë të apasionuar pas fluturimeve në hapësirë shohin një rol edhe më të madh të sektorit privat.

“Nëse NASA nuk del nga ajo lloj veprimtarie që mund të realizohet nga industria private, fluturimet në hapësirë nuk do të ecin dot përpara. Me një politikë kompetente, industria private mund të fillojë furnizmin e stacionit hapësinor dhe ta plotësojë atë me personel,” thotë zoti Oler.

Zoti Oler nuk është i vetmi optimist për një të ardhme të shkëlyer të kompanive private në hapësirë. Disa kompani po përpunojnë plane që shkojnë nga eskursionet në orbitë e deri tek ndërtimi e shfrytëzimi i hoteleve në hapësirë. Në Qendrën Hapësinore Johnson pranë Houstonit, astronauti i NASA-s, David Lestma, drejton zyrën e zhvillimit. Ai thotë se agjencia e hapësirës inkurajon nismat në sektorin privat dhe së shpejti do të ofrojë shuma të mëdha për ide përmes të ashtuquajturve ”Çmime TË Shekullit”.

“Industria private ka mundësira të shumta që të bashkëpunojë me NASA-n në këtë stad që jemi. Përfundimisht, sapo shpenzimet për të fluturuar në hapësirë bien, mendoj që industria private mund të ecë me këmbët e veta. Kur kjo industri të bindet se mund të nxjerrë përfitime, NASA menjëherë do të dalë nga ky lloj tregu,” thotë zoti Lestma.

Por ai tërheq vëmendjen se kompanitë private që përpiqen të bëjnë fluturime përtej orbitës mund të hasin në vështirësi.

“Prodhimi i energjisë reaktive dhe diegia e oksigjenit dhe hidrogjenit, zjarri që del nga pas për të krijuar shpejtësinë e duhur të daljes në orbitë, janë gjëra të rrezikshme dhe, tani për tani, tepër të kushtueshme,” thotë zoti Lestma.

Ai thotë se mund të ketë gjithashtu pengesa ligjore për sipërmarrjet private të hapësirës.

“Nëse diçka shkon keq, atëherë kush është përgjegjës? Për një fluturim të financuar nga qeveria, përgjigjet kjo e fundit prandaj NASA do të jetë gjithmonë pjesmarrëse në misione të tilla”.

Pëkrahësit e fluturimeve private nuk shohin probleme të mëdha në këtë fushë. Robert Oler thotë se rreziku është diçka që shpikësit dhe sipërmarrësit e marrin parasysh. “Amerikanët kanë treguar vazhdimisht se, nëse e kuptojnë rrezikun, ata nuk tremben, thotë Oler. Ai shton se për nxitjen e një veprimtarie më të madhe të sektorit privat në hapësirë nevojiten kontrata nga NASA dhe agjenci të tjera të qeverisë, të ngjashme me kontratat e postës ajrore që qeveria pati përdorur për të inkurajuar aviacionin në hapat e tij të parë. Sipas zotit Lestma, NASA është e hapur ndaj ideve të tilla.

“Do të pëlqeja pa masë të shihja industrinë private të aftë të transportonte njerëz në hapësirë. Të lejojmë Conrad Hilton të ndërtojë një hotel në hapësirë në mënyrë ku njerëzit të shkojnë për pushime. Do të ishte mrekulli fare,” thotë zoti Lestma.

Me suksesin e anijes SpaceShipOne, dyert për individët dhe kompanitë privatë janë tashmë të hapura. Nëse vizioni i tyre kthehet në realitet, brenda një dekade, udhëtimi hapësinor mund të bëhet aq i zakonshëm sa ç’është sot udhëtimi me avion.

XS
SM
MD
LG