Lidhje

Ahmeti: organizatorët e referendumit duhet të pranojnë verdiktin - 2004-11-08


Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë vlerësoi referendumin në Maqedoni dhe tha se ishte në përputhje me standartet evropiane për zgjedhje demokratike. OSBEja tha sot se parregullsitë e kufizuara lidhur me listat e votuesve dhe orarin në qendrat e votimit nuk ndikuan në integritetin në tërësi të procesit. OSBEja e quajti votimin të qetë dhe të rregulltë. Referendumi dështoi pasi për të votuan vetëm 26 përqind e popullësisë, ndërsa kërkohej 50 përqindshi i nevojshëm. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kishin bërë thirrje për bojkotim. Zoti Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim dha këtë intervistë në emisionin televiziv Ditari:

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, referendumi për të cilin partia juaj kërkoi që të bojkotohej dështoi, megjithatë cili ishte ndikimi i tij, a krijoi referendumi polarizime të mëtejshme në shoqërinë e vendit tuaj?

ALI AHMETI: Unë mendoj që rezultatet e referendumit tregojnë vetë se nuk do të ketë pasoja, për arsye se pjesëmarrja në referendum ka qenë mjaft e ulët, dhe nga numri i përgjithshëm kanë votuar rreth 26.58% e qytetarëve, prej të cilëve 4.94%, do të thotë rreth 5% kanë votuar kundër, kurse 20% kanë votuar pro. Ndërsa në rrethana të tjera për çfarëdo ligji tjetër që do të bëhet fjalë një përqindje e tillë mund të dalë në çdo kohë, kështu që unë nuk parashikoj se mund të ketë pasoja në të ardhmen. Megjithatë ne duhet të kemi një nivel përgjegjësie dhe t’u bëjmë thirrje organizatorëve dhe opozitës që të përqendrohemi në punët që kanë më shumë prioritet për shtetin dhe për qytetarët, sepse na presin punë të reja dhe vendime të reja.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, vëzhgues të ndryshëm kishin shprehur shqetësim që përpara referendumit se në se ai miratohej, do të radikalizohej komuniteti shqiptar, por në se nuk miratohej, ashtu siç ndodhi, kjo mund të radikalizonte atë pjesë të komunitetit maqedonas që ishte kundër decentralizimit. Kongresi Kombëtar Maqedonas ka shprehur ankesa të forta ndaj referendumit. Si është gjendja tani në vendin tuaj, pas referendumit, pikërisht për atë që thatë ju që të merreni me problemet e tjera që ka ky vend për të zgjidhur, sa e vështirë do të bëhet ajo?

ALI AHMETI: Unë mendoj që situata është në rrjedha normale, organizatorët e referendumit duhet të pranojnë verdiktin, duhet të pranojnë se ka edhe humbës në iniciativa dhe në këtë rast kjo humbje duhet përshëndetur, dhe po ashtu edhe qytetarët e Maqedonisë të cilët kanë treguar pjekuri të lartë politike. Kjo tregon se Maqedonia është pjekur për proceset progresive në mënyrë që ne të instalojmë vlera të mirëfillta demokratike, me qëllim që ne këtu t’i afrojmë qytetarët dhe jo t’i ndajmë dhe kështu bashkarisht do të thotë në fronte të përbashkëta ne duhet të ecim përpara me qëllim që të realizojmë synimet që kemi, dhe që kanë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, që në një kohë sa më të afërt të jemi pjesë integruese e NATO-s dhe e Bashkimit Europian, sepse nga këto iniciativa përfitojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo maqedonas.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti pas planit të decentralizmit, që ishte një nga elementët kryesor të marrëveshjes së Ohrit, a mund të quhet kjo marrëveshje e realizuar tashmë?

ALI AHMETI: Siç e thashë edhe në fillim, ne na presin edhe detyra të tjera dhe nga marrëveshja e Ohrit. Janë edhe dy ligje me shumëç rëndësi që duhet të miratohen në parlamentin e Maqedonisë për shqiptarët në Maqedoni, siç është ligji për përdorimin e simboleve kombëtare dhe i përdorimit të gjuhës shqipe. Kështu që mendoj se në një të ardhme jo të largët këto çështje të shtrohen për zgjidhje në parlamentin e Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Ndonëse shqiptarët sot në Maqedoni gëzojnë më shumë të drejta, ata përsëri kanë ankesa se pak përmirësime kanë ndjerë konkretisht në jetën e tyre. Si parti në koalicionin qeveritar a mendoni se mund të bëni më shumë për përmirësimin e gjendjes ekonomike?

ALI AHMETI: Sigurisht, që unë nuk jam asnjëherë i kënaqur me punën që kemi bërë deri tani, se na presin edhe shumë punë të tjera. Njerëzit tani i shqetëson kryesisht nga gjendja e rëndë ekonomike dhe ne përpiqemi të sigurojmë një begati dhe mirëqënie më të mirë për qytetarët, dhe përparimin në këtë drejtim e shohim duke instaluar vlera të mirëfillta brenda vendit tonë, e sidomos duke qenë mjaft të vendosur në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër krimit të organizuar, çka na përshpejton dhe na hap rrugën të jemi sa më afër Europës të Bashkuar, dhe çka do të thotë se vetë afrimi pranë këtyre strukturave do të hapë shtigje të reja, si në drejtim të thithjes së investimeve nga investitorë të huaj ashtu edhe nga investitorë vendas. Sepse të gjithë investitorët kërkojnë garanci, kërkojnë siguri, kërkojnë një shtet ligjor dhe ne përpiqemi vazhdimisht dhe çdo ditë në këtë drejtim që të kemi një shtet ku të funksionojë ligji, dhe ku të funksionojnë të gjitha procedurat e rregullta për vlerësimin e punëve që këto investitorë të kenë rrethana lehtësuese për të investuar kapitalin e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, javën e kaluar Shtetet e Bashkuara vendosën të njohin Maqedoninë me emrin e saj kushtetues Republika e Maqedonisë ndërkohë që vendet evropiane ende vazhdojnë të ruajnë emërtimin e deritanishëm, ish republika jugosllave e Maqedonisë. Çfarë rëndësie ka për ju vendimi i Uashingtonit?

ALI AHMETI: Vendimi i Shteteve të Bashkuara përshëndetet nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht se cilit komuniteti i takojnë, shqiptarë apo maqedonas dhe shfrytëzoj rastin të përshëndes edhe lobin shqiptaro-amerikan i cili dha një ndihmesë mjaft të madhe në drejtim të njohjes së emrit kushtetues të Maqedonisë. Kështu që ne shpresojmë që në të ardhmen një veprim i tillë të bëhet edhe nga Bashkimi Europian, sepse vetë njohja e emrit kushtetues të Maqedonisë është një ndihmesë e madhe për lëvizjen e proceseve të mëtejshme.

XS
SM
MD
LG