Lidhje

Tiranë: Kryeministri Nano hedh poshtë akuzat e deputetit Lesi. - 2004-11-09


Kryeministri Fatos Nano hodhi sot poshtë akuzat e bëra dje nga deputeti Nikollë Lesi, sipas të cilave në vitin 1997 kreu i qeverisë ishte përfshirë në një trafik armësh. Zoti Lesi lexoi mbrëmë në sallën e parlamentit një dokument, që sipas tij, ishte një përgjim i shërbimeve sekrete i kryer në datën 15 dhjetor të vitit 1997. Por zëdhënësi i kryeministrit, deklaroi sot se më datë 15 dhjetor të vitit 1997, zoti Nano ka qenë për një vizitë zyrtare në Londër. Zëdhënësi Aldrin Dalipi i quajti deklarimet e deputetit Lesi spekullime shumë të rrezikshme në kurriz të sigurisë kombëtare.

Duket se ka ndryshuar thuajse tërësisht panorama e asaj që deri sot në mëngjes mund të konsiderohej pa frikë si një skandal shtetëror. Dokumenti i lexuar mbrëmë në sallën e parlamentit dhe që i atribuohej shërbimeve sekrete si një përgjim i bisedës së kryeministrit Nano dhe kryetarit të atëhershëm të komisionit të ligjeve Fehmi Abdiu është sipas qeverisë një spekullim i pastër.

Sipas dokumentit, përgjimi është bërë më datë 15 dhjetor të vitit 1997 në hotel Rogner në kryeqytet, por në këtë datë rezulton se kryeministri Fatos Nano ndodhej në Londër në një vizitë zyrtare tre-ditore, e cila kishte nisur që më datë 14 dhjetor. Për të vërtetuar këtë fakt, lehtësisht të verifikueshëm, Aldrin Dalipi, zëdhënësi i kryeministrit ka bërë publike dokumentet zyrtare rreth vizitës, por edhe gazetat e atyre ditëve, mes të cilave edhe “Koha Jonë” e botuesit Lesi, të cilat informonin rreth vizitës dhe takimeve që zoti Nano po zhvillonte në Londër.

Zëdhënësi Dalipi ka deklaruar se kryeministri Fatos Nano e konsideron aktin e djeshëm si një spekullim shumë të rrezikshëm në kurriz të sigurisë kombëtare, stabilitetit të vendit dhe rajonit. Zoti Nano që prej mbrëmjes së djeshme njoftoi se kishte kërkuar nga prokurori iPërgjithshëm hapjen e menjëhershme të hetimeve për këtë çështje. Zëdhënëi Dalipi saktësoi sot se kryeministri do të vazhdojë të gjitha hapat ligjore lidhur më këtë çështje dhe se hetimit do t’i shkohet deri në fund.

Nga ana e tij, deputeti Lesi është shprehur se data 15 dhjetor sipas tij nuk i përket datës së përgjimit, por atij të transkriptimit. Megjithatë në dokumentin e lexuar prej tij, por edhe të publikuar sot si faksimile në njërën prej të përditshmeve shqiptare, lexohet se regjistrimi i përgjimit ka filluar në orën 17.40 minuta të datës 15 dhjetor 1997 deri në orën 18.05 të po kësaj dite. Deputeti Lesi këmbëngul se disponon edhe kasetën audio të bisedës së cilës ai i referohet, por ende përmbajtja e saj nuk është bërë publike prej tij.

Edhe shefi i shërbimeve sekrete të asaj kohe, Fatos Klosi, ka deklaruar se ai nuk ka urdhëruar ndonjëherë përgjimin e kryeministrit të vendit dhe se nuk kishte dijeni që një dokument i tillë të ishte arkivuar në Shërbimin Informativ, të paktën për aq kohë sa ai kishte drejtuar këtë institucion.

Edhe zoti Fehmi Abdiu, i cili rezulton të ketë qenë bashkëbiseduesi i zotit Nano në dokumentin e përgjimit, e ka quajtur sajesë gjithshka që është paraqitur nga deputeti Lesi. Madje, ai ka shtuar se në përmbajtje ka dhe pasaktësi të tjera, duke përmendur faktin se zoti Thimio Kondi, i cili në bisedë përmendet nga kryeministri si kryetar i gjykatës në atë kohë, ka qenë ministër i Drejtësisë.

Në gjithë këtë situatë të komplikuar duket se fjalën e fundit do ta thotë prokuroria së cilës jo vetëm kryeministri, por edhe zoti Abdiu i ka kërkuar hapjen e mënjehershme të hetimeve.// lk //

XS
SM
MD
LG