Lidhje

Rritja "brutale" e Euros përballë Dollarit - 2004-11-09


Pasi monedha evropiane Euro theu të premten e kaluar të gjitha rekordet e mëparshme, duke kapur shifrën e 1.2962 dollarëve amerikanë, u shtuan shqetësimet për çmimet e naftës, tregëtinë dhe deficitin buxhetor amerikan. Edhe presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Jean-Claude Trichet, shprehu shqetësim lidhur me rritjen e vlerës së Euros ndaj dollarit, duke e quajtur atë ”brutale” dhe ”jo të mirëpritur”.

Rritja e vlerës së Euros ishte një ”avantazh i madh” për eksportuesit amerikanë, pasi i bënte prodhimet e tyre më konkurruese ndaj importeve të huaja, u shpreh analisti Davi Wyss, krye-ekonomist i kompanisë ”Standart and Poor”: "Me dobësimin e dollarit, eskportuesit amerikanë kanë një avantazh të madh, për faktin se mallrat tona bëhen më konkurruese në vendet e tjera dhe kjo i ndihmon tregëtarët amerikanë, mallrat e të cilëve konkurrojnë me ato të importuarat. Pra, kjo dëmton kryesisht të huajt, ata që përpiqen të shesin në Shtetet e Bashkuara, ngaqë nuk do të mund të sigurojnë më të njëjtin fitim."- tha analisti.

Zoti Wyss i bëri këto komente, pasi monedha evropiane i theu rekordet e të gjitha kohëve të premten e kaluar, duke arritur shifrën e 1.2962 dollarëve amerikanë, duke shtuar shqetësimet lidhur me çmimet e naftës, tregëtinë dhe deficitetin buxhetor amerikan.

Një Euro e fortë i dëmtoi kompanitë evropiane, duke i bërë mallrat e tyre më pak konkurruese përsa i përket çmimit në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta kërcënojë rimëkëmbjen mesatare ekonomike të zonës së Euros, e cila është ngritur nga eksportet. "Problemi qëndron në faktin se dollari është mbivlerësuar së tepërmi gjatë disa viteve në fund të viteve ’90 dhe në fillim të kësaj dekade, -thotë ekonomisti Wyss. Kemi të bëjmë në këtë rast me Ligji i Newtonit lidhur me monedhat, pra, që një mbivlerësim duhet të pasohet nga një nënvlerësim i njëjtë, ose i kundërt."-thotë Wyss.

Ekonomistët thonë se një faktor që ka ndikuar në prirejt kundër dollarit është rizgjedhja e presidentit George Bush dhe politikat e tij që do të vazhdojnë edhe për 4 vjet të tjerë. Gjatë administratës së presidentit Bush është rritur deficiti, gjë që rëndon mbi dollarin. Veç kësaj, disa analistë, thonë se Shtëpia e Bardhë, megjithëse nuk ka dhënë shpjegime, ka qenë e kënaqur nga dobësimi i dollarit, përderuisa kjo i ndihmon eksportuesit amerikanë dhe ndihmon në shtimin e vendeve të reja të punës.

Ndërkohë, Ish-sekretari amerikan i thesarit Robert Rubin parajmëroi mbrëmë në New York se rënia kohët e fundit e vlerës së dollarit amerikan mund të përshpejtohet dhe niveli i interesit mund të rritet në se poltikanët në Washington nuk veprojnë me shpejtësi për të ngushtuar deficitin e buxhetit federal. "Në se do të isha përsëri në Departamentin e Thesarit, do të mbroja me forcë politikën e dollarit të fortë. Natyrisht që dëmethënia e kësaj politike nuk është dhe aq e thjeshtë."- tha zoti Rubin.

Rritja e Euros ndikon në rritjen e çmimeve të naftës për bizneset evropiane dhe për konsumatorët, ngaqë nafta vlerësohet në dollarë.

Çmimet e larta të naftës kanë ndikuar në ekonominë amerikane, duke shtuar shqetësime të reja mbi tregëtinë dhe deficitin buxhetor, faktorë që kanë ndikuar tek vlera e dollarit për muaj me radhë.

Analistët thonë se Banka Qendrore Evropiane dot ë bëjë ç’është e mundur për t’u siguruar që Euro të mos arrijë shifrën e 1.4 dollarëve amerikanë para fundit të vitit.// lk //

XS
SM
MD
LG