Lidhje

Sfidat e administratës Bush-2 në politikën e jashtëme - 2004-11-10


Lufta kundër terrorizmit ishte një sfidë e madhe gjatë mandatit të parë të Presidentit Bush dhe do të mbetet në krye të listës së përparësive të tij të politikës së jashtëme gjatë katër viteve të ardhshëm.

"Ne do të vazhdojmë deri sa armiku të jetë mposhtur. Ne do të qendrojmë të fortë dhe të vendosur. Ne kemi një detyrë, detyrën solemne për të mbrojtur popullin amerikan dhe ne do ta bëjmë këtë."-tha presidenti. Shumë ekspertë thonë se lufta kundër terrorizmit do të mbizotërojë politikën e jashtme të presidentit Bush. Por ata shpresojnë se Presidenti do të kërkojë bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Udhëheqësi i al-Qaidës, Osama bin Laden ende nuk është kapur dhe ekspertët thonë se nevojitet një komunitet ndërkombëtar i bashkuar për të përballuar grupet e tjera terroriste.

Ekspertët thonë gjithashtu se vazhdimi i dhunës në Irak dhe kërkimi i një zgjidhjeje paqësore për konfliktin izraelito-palestinez janë dy sfida madhore me të cilat do të përballet administrata e dytë Bush.

Ish-nënsekretari i Shtetit për Lindjen e Mesme David Mack thotë se përsa i përket Irakut, Presidenti Bush duhet të përqendrohet në disa objektiva të arësyeshme. "Administratës do t’i duhet të përqendrohet në disa objektiva të arritshëm, gjëra që mendohet se janë absolutisht të nevojshme për Shtetet e Bashkuara: për shembull krijimi i garancive se Iraku nuk do të bëhet strehë për terroristët dhe nuk do të rifillojë prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë. Por në të njëjtën kohë, ajo duhet të kuptojë se në kontekstin e politikës irakiane dhe të shoqërisë irakiane, disa nga objektivat e tjera për të cilat administrata fliste kur ndërhyri në Irak, si transformimi i krejt Lindjes së Mesme përmes krijimitg të një demokracie model dhe të një sistemi të tregut të lirë në Irak, janë në fakt të paaaritëshme, të paktën në një periudhë të arësyeshme kohe."-thotë zoti Mack.

Ekspertët thonë se zyrtarët amerikanë përballen me të njëjtat çështje me të cilat ndesheshin gjatë mandatit të parë të Presidentitg Bush: lufta kundër kryengritësve, stërvitja e forcave irakiane të sigurimit dhe krijimi i kushteve të favorshme për zgjedhjetg në muajin janar.

Michael O'Hanlon, ekspert i politikës së jashtëme në Institutin Brookings, thotë se në muajt e ardhshëm, zotit Bush do t’i duhet gjithashtu të merret me çështjen e pranisë së forcave amerikane në Irak. "A mund të vendosë presidenti gjatë vitit 2005 se ne duhet të shpejtojmë largimin nga Iraku - jo në kuptimin e largimit kaotik sepse Presidenti ka deklaruar se nuk do ta bënte këtë, por në kuptimin që prania jonë është bërë pjesë e problemit sepse gueriljet na shikojnë ne si pushtues, mendojnë se ne do të rrimë atje gjatë dhe se kemi shkuar për naftën, prandaj sa më gjatë që të rrimë në Irak aq më shumë do t’i ndihmojmë kryengritësit të rekrutojnë njerëz. Mirëpo, a do të ishte mirë të thoshim se në vitin 2006 ne ne do të heqim të paktën dy të tretat e forcave? A do të ishte ky propozim i arësyeshëm dhe a do t’i përmirësonte ai gjërat?"-thotë eksperti.

Zoti O'Hanlon mendon se një gjë e tillë mund të ishte me interes. Lidhur me çështjen e gjetjes së një paqeje të qendrueshme izraelito-palestineze, shumë ekspertë thonë se zoti Bush duhet të luajë një rol shumë më aktiv. Njëri prej tyre është Lee Hamilton, ish kryetar i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare. "Asnjë president nuk mund t’i shmanget dot realisht krizës izraelito-palestineze. Presidenti është tërhequr gjatë viteve të fundit por nuk mendoj se ka ndonjë çështje tjetër që i polarizon aq shumë marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe botës islamike sa konflikti izraelito-palestinez."- thotë zoti O'Hanlon.

Ekspertët thonë se udhëheqësi palestinez Yasser Arafat në fakt është mënjanuar, së pari nga izraelitët, pastaj nga amerikanët dhe tani për shkak të shëndetit. Disa analistë thonë se administratat Bush duhet të shfrytëzojë rastin për të rigjallëruar procesin e paqes.// lk //

XS
SM
MD
LG