Lidhje

Dorëheqjet e para në kabinetin e presidentit Bush - 2004-11-10


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft dhe Sekretari i Tregëtisë Don Evans, që të dy dhanë dorëheqjen, të parat në kabinetin e Presidentit Bush, ndërsa ai përgatitet për mandatin e dytë.

Në deklaratat e tij, Presidenti Bush vlerësoi si zotin Ashcroft, ashtu edhe zotin Evans për punën e tyre gjatë mandatit të tij të parë.

Presidenti tha se Sekretari Evans ishte një nga miqtë dhe këshilltarët e tij më të besuar, i cili ka qenë një anëtar i vlefshëm i ekipit ekonomik dhe ka punuar për të çuar përpara sigurinë ekonomike dhe begatinë për të gjithë amerikanët.

Për të nxitur krijimin e më shumë vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Bush tha se Sekretari Evans ka punuar për të ulur taksat, për të hapur tregje për mallrat dhe shërbimet amerikane dhe për të nxitur një hapësirë veprimi për tregëtinë jashtë Amerikës.

Zoti Evans është një mik i ngushtë i presidentit që kur ai ishte në Teksas dhe luajti një rol të rëndësishëm për të ndihmuar zotin Bush të fitonte zgjedhjet e vitit 2000. Në letrën e tij të dorëheqjes, Sekretari Evans tha se megjithëse perspektiva për mandatin e dytë të presidentit është e shkëlqyer, ai mendonte se ka ardhur koha që të kthehej në shtëpi.

Presidenti tha se Prokurori i Përgjithshëm John Ashcroft i ka shërbyer vendit me nder, dinjitet dhe integritet, duke punuar pa u lodhur për ta bërë vendin më të sigurt. Gjatë 4 viteve nën drejtimin e tij, në Departamentin e Drejtësisë u bënë ndryshime të mëdha pas sulmeve të 11 shtatorit, duke e kthyer luftën kundër terrorizmit përparësinë kryesore.

Presidenti Bush tha se vlerëson përpjekjet e zotit Ashcroft për të parandaluar krimin, për të zbatuar vendosmërisht ligjet e të drejtave civile, për të marrë masa kundër krimeve në korporata, për të luftuar trafikun njerëzor dhe pornografinë në Internet.

Në letrën e dorëheqjes, Prokurori i Përgjithshëm tha se objektivi për t’i bërë amerikanët të sigurtë ndaj krimit dhe terrorit është arritur dhe ai mendon që Departamentit të Drejtësisë do t’i shërbehet mirë tani nga ajë që ai e quan drejtim dhe frymëzim i ri.

Si zoti Ashcroft, ashtu edhe zoti Evans kanë shërbyer në kabinet që nga fillimi dhe janë të parët mes asaj që mendohet të një jetë një valë ndryshimesh në ekipin e presidentit për mandatin e dytë.// lk //

XS
SM
MD
LG