Lidhje

OSBE përshëndet faljen e kërkuar nga autoritetet serbe të Bosnjës familjeve të viktimave të Srebrenicës - 2004-11-10


Organizata më e rëndësishme e Evropës për sigurimin përshëndeti faljen e kërkuar nga autoritetet serbe të Bosnjës familjeve të viktimave të masakrës së Srebrenicës në vitin 1995.

Misioni i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë në Bosnjë-Hercegovinë tha se kërkesa për falje është një fillim pozitiv i një procesi që mund të çojë në atë që organizata e quan ”drejtësi e qendrueshme”.

Dje, qeveria e Republikës Serbe të Bosnjës tha se e kupton dhimbjen e të afërmve të viktimave. Ajo shprehu pikëllim dhe falje të sinqertë për vrasjen e 8 mijë meshkujve myslimanë nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë.

Autoritetet e republikës Serbe të Bosnjës e kanë pranuar tashmë një raport të një komision special hetimor, që u publikua këtë vit, ku thuhej se masakra u krye nga forcat serbe të Bosnjës. Në deklaratën e qeverisë shtohej se autoritetet e Republikës Serbe të Bosnjës janë të angazhuara për të sjellë para drejtësisë të gjithë autorët e krimeve të luftës.

Ndërkohë, një serb i Bosnjës, i dyshuar për krime lufte, nuk pranoi fajësinë nën akuzat se ishte përfshirë në masakrën e vitit 1995 në Srebrenica.

Ljubisha Beara doli sot para Gjykatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë për t’u përgjigjur për gjashtë akuza për krime lufte, përfshirë atë për gjenocid.

Muajin e kaluar, zoti Beara doli para gjykatës dhe vendosi të mos deklaronte në se e pranonte apo jo fajësinë. Gjatë asaj seance, ai u bëri thirrje të gjithë të dyshuarve për krime lufte që të dorëzohen vullnetarisht.

Në aktapadinë e ngritur në vitin 2002 kundër zotit Beara thuhej se ai ishte kolonel dhe shef i forcave sërbe të sigurimit në Bosnjë-Hercegovinë në kohën e masakrës së Srebrenicës. Autoritetet serbe e arrestuan zotin Beara muajin e kaluar dhe e ekstraduan atë në Gjykatën e Hagës pothuajse menjëherë.

//ze//

XS
SM
MD
LG