Lidhje

Shqipëria: Qeveria miraton projekt-buxhetin për vitin 2005 - 2004-11-11


Qeveria shqiptare miratoi sot paketën fiskale dhe projektbuxhetin për vitin e ardhshëm duke parashikuar një rritje ekonomike prej 6-7 përqind dhe një nivel inflacioni në 2-4 përqind. Në projektbuxet janë parashikuar edhe fondet për kompensimin e ish të përndjekurve politik dhe ish pronarëve.

Gjatë vitit 2005 do të pësojnë ulje disa tatime dhe tarifa doganore. Për të shmangur efektet e rritjes së çmimit të naftës është vendosur dhe ngrirja e akcizës për importimin e këtij produkti.

Në ndryshim nga praktikat e mëparshme puna për hartimn e paketës fiskale dhe projektbuxhetit nisi që gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Përveç konsultimeve mes specialistëve të institucioneve të ndryshme shtetërore, Ministria e financave bashkëpunoi ngushtë edhe me institucionet ndërkombëtare financiare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar, por edhe me përfaqësuesit e biznesit pavarësisht se jo të gjitha kërkesat e këtyre të fundit u morrën parasysh plotësisht.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë ku u bë dhe miratimi i të dy dokumentave më të rëndësishëm financiar, kryeministri Fatos Nano deklaroi se projektbuxheti i vitit 2005 ruan dhe konsolidon treguesit pozitivë makroekonomikë:

"Programi buxhetor i shtetit per vitin 2005 do t’i shërbejë edhe me tej krijimit të një ambjenti të qëndrueshëm makroekonomik, që shërben si pikënisje e sigurtë në funksion te konsolidimit te mëtejshëm të rritjes ekonomike në kufijtë 6-7%, të ruajtjes së inflacionit ne kufijte 2-4%, në rritjen progresive të të ardhurave te buxhetit te shtetit e sidomos atyre tatimore, ne menaxhimin me te mire te shpenzimeve publike, ne mbajtjen nen kontroll te deficitit buxhetor, krijimit te nje klime sa me te pershtatshme per sipermarrjen", deklaroi kryeministri Nano.

Buxheti i shtetit këtë vit parashikon vazhdimin e privatizimit të sektorit strategjik. Kështu shteti do të nxjerrë në shitje kompaninë e naftës Armo si dhe do të heqë dorë nga aksionet e tij në dy banka të nivelit të dytë.

Gjithashtu projekti parashikon edhe fondet për kompensimin e ish të përndjekurve politik dhe të ish pronarëve. Sot parlamenti shqiptar miratoi edhe kryetarin e Komitetit shtetëror për kthimin dhe kompensimin e pronave, institucionit i cili do të drejtojë të gjithë procesin delikat të pronave në Shqipëri. Përsa i përket paketës fiskale ajo paraqitet me disa të reja:

"Rishikimi i legjislacionit fiskal tenton te garantoje ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe konsolidimin e te ardhurave fiskale ne funksion të realizimit te shpenzimeve në perputhje me prioritetet strategjike të zhvillimit të vendit; të kontribuojë në reduktimin e mëtejshëm të evazionit fiskal duke zgjeruar bazën e tatueshme dhe eleminuar përjashtimet nga rregulli i përgjithshem të përafrojë legjislacionin dhe praktikat me vendet e rajonit dhe në përputhje me standartet e vendeve të zhvilluara të krijojë një klimë të favorshme për një zhvillim të qendrueshëm të biznesit vendas e te huaj si dhe kushte lehtesuese per zhvillimin e industrise ne vend nëpërmjet uljes së tarifave doganore për një sërë produktesh", tha kryeministri.

Paketa fiskale parashikon uljen e disa tatimeve dhe reduktimin e tarifave doganore. Këto të fundit prekin kryesisht një grup mallrash të importit dhe janë të kushtëzuara nga detyrimet e Shqipërisë ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Bashkimit Europian.

Për të shmangur efektet negative të rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare të cilat reflektohen edhe në Shqipëri dhe ekonominë e saj për vitin 2005 akciza e importit të naftës do të ngrijë. Për këtë është caktuar një tavan prej 27 lekësh për litër nivel i akcizës që nuk do të tejkalohet sado që të rritet çmimi i importit.

XS
SM
MD
LG