Lidhje

Dilema e zëvendësimit të Yasser Arafatit - 2004-11-11


Që para se të vdiste presidenti i autoritetit palestinez, Yasser Arafat u hapën debatet se kush do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i cili të mund të zgjidhë njëkohësisht konfliktin me Izraelin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeffrey Young, ka një numër personalitetesh që mund ta luajnë këtë rol udhëheqës.

Yasser Arafat ka qenë udhëheqës i disa lëvizjeve dhe më pas i një administrate - që është Autoriteti Kombëtar Palestinez, i cili përfaqëson popullin palestinez. Personaliteti i tij i fuqishëm ka ndikuar në marrëdhëniet me vendet që qendrojnë të dy krahët e konfliktit izraelito-palestinez. Realitetet në epokën pas Yasser Arafatit, mund të përcaktojnë drejtime të reja si për Autoritetin Palestinez ashtu edhe për udhëheqësit e tij, për të cilët realizimi i shtetit palestinez është objektivi përfundimtar.

A do të ndihmojë një ndryshim në timonin e Autoritetit Palestinez për rigjallërimin e bisedimeve izraelito-palestineze të paqes? Nathan Brown, i cili punon për Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, thotë se beson që rrethanat e krijuara e bëjnë të mundur një gjë të tillë.

"Ajo që kanë bërë izraelitët është personalizimi i çështjes së Arafatit, pra grindja është me Arafatin. Prandaj mendoj se atyre ndoshta do t’u bëhet presion i jashtëzakonshëm ndërkombëtar që të përpiqen të rifillojnë bisedimet me një udhëheqje të re palestineze." Rregullat e Autoritetit Palestinez parashikojnë që zgjedhjet të zhvillohen jo më shumë se 60 ditë pas mbetjes bosh të vendit të presidentit. Mungesa e Arafatit hap gjithashtu vendin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe të kryetarit të partisë më të madhe politike palestineze, Fatah. Shefi i zyrës së Uashingtonit për gazetën arabe al-Hayat, Salameh Nematt, parashikon se vendimet që do të merren qysh në fillim të epokës së pas Arafatit do të kenë një ndikim ndoshta për shumë vite në të ardhmen.

"Periudha kalimtare do të jetë me rëndësi në kuptimin që në një farë mase ajo do të vendosë rezultatin e zgjedhjeve. Pikërisht për këtë arësye, ata që do të udhëheqësin në periudhën kalimtare do të dëshironin të kishin një bazë më të gjerë përfaqësimi, ndoshta duke përfshirë islamistët dhe njerëzit që simpatizojnë lëvizjen islamike të rezistencës."

Vëzhguesit politikë palestinezë dhe të jashtëm po flasin për një numër kandidaturash të mundëshme për udhëheqjen e autoritetit palestinez. Nadia Hijab, e cila punon për Qendrën e Palestinës në Uashington, e përshkruan kështu listën e saj të kandidatëve, të kryesuar nga kryeministri palestinez, Ahmed Queria dhe paraardhësi i tij Mahmoud Abbas.

"Dy emrat shumë të natyrshëm janë Qureia, i cili në thelb është lënë në kontroll së bashku me Mahmoud Abbas-in, i cili do të bëhej udhëheqës i vetë Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Janë pastaj shefat e sigurimit si Rajoub Jibril ose Muhammad Dahlan”. Shumë vëzhgues vendosin Ahmed Queria-n në krye të listës së kandidatëve për arësye se ai qysh tani mban një pozitë të dukëshme në Autoritetin Palestinez Gjithashtu, siç thonë disa analistë, rivali më i mundshëm i zotit Qureia, Mahoud Abbas, mund ta ketë të vështirë të sigurojë mbështetjen e palestinezëve të thjeshtë.

Një tjetër kandidat i mundshëm është Marwan Barghouti, i cili aktualisht mbahet në burg nga Izraeli nën akuza që lidhen me terrorizmin. Ata që përmendin Bargutin thonë se ai dhe Autoriteti Palestinez mund ta shfrytëzojnë burgimin e tij pak a shumë siç bëri Nelson Mandela për të simbolizuar luftën e popullit të vet. Por të tjerë mendojnë se nëze zgjidhet Bargouti, Izraeli do të përpiqej ta mënjanonte atë, siç veproi me Yasser Arafatin.

Qysh nga muaji tetor, kur Arafati u sëmur, qeveria izraelite përgjithësisht u është shmangur deklaratave që mund të lenë të kuptojnë se ajo po përpiqet të ndikojë zhvillimetg dhe opinionet mes palestinezëve. Por kohët e fundit, ministri i jashtëm izraelit, Sylvan Shalom tha se ai dëshiron të shohë një udhëheqje palestineze të moderuar. Si edhe më parë, Izraeli ngul këmbë që pavarësisht se kush do të zgjidhet në vend të Arafatit duhet të çaktivizojë grupet terroriste dhe t’i japë fund nxitjes së dhunës në Bregun Perëndimor dhe në Gazë, diçka që mund të jetë një sfidë tepër e vështirë.

XS
SM
MD
LG