Lidhje

Vdes udhëheqësi palestinez Jaser Arafat  - 2004-11-11


Trupi i Jaser Arafatit po kthehet në Lindjen e Mesme, ku nesër në Kairo do të zhvillohet ceremonia e varrimit.

Kampioni 75 vjeçar i çështjes palestineze vqid sot në mëngjes në Paris pasi ishte në koma për një javë. Mjekët francez nuk thanë çfarë sëmundje çoi në vdekjen e tij. Trupi i zotit Arafat u nis sonte nga kryeqyteti francez me një avion luftarak francez, pas një ceremonie të shkurtër lamtumire.

Zyrtarët egjiptianë po përgatiten për masa të rrepta sigurie gjatë ceremonive të varrimit në një klub ushtarak në Kairon veriore. Janë bërë plane për shërbime fetare të pasuara nga një funeral ushtarak po nesër.

Zoti Arafat do të varroset në Bregun Perëndimor në selinë e tij qëndrore Muqata në Ramallah, ku ai jetoi 35 muajt e fundit thuajse nën arrest shtëpiak nga Izraeli.

Dhjetra mijëra palestinez të pikëlluar marshuan sot në territoret e pushtuara si dhe në Siri dhe në kampet e refugjatëve në Jordani dhe Liban. Në Liban, palestinezët dogjën flamurë izraelitë dhe amerikanë, ndërsa palestinezë të tjerë u zotuan të vazhdojnë endrën e zotit Arafat për krijimin e shtetit palestinez.

I shqetësuar nga dhuna, Izraeli mbylli menjëherë kufirin me Bregun Perendimor dhe Gazën. Të paktën katër palestinez u vranë nga trupat izraelite në orët e para pas vdekjes së zotit Arafat.

Reagime Nga Bota

Në Washington, Presidenti Bush i shprehu ngushëllime popullit palestinez. Në një deklaratë, ai thotë se vdekja e zotit Arafat shënon një moment të rëndësishëm në historinë palestineze. Ai shprehu gjithashtu shpresë se e ardhmja do të sjellë krijimin e një shteti të pavarur e demokratik palestinez, në paqe me fqinjët e tij.

Sekretari i Shtetit, Colin Powell, tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre për të ndihmuar popullin palestinez që të ecë drejt paqes.

Në Jeruzalem, Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, u tha gazetarëve se vdekja e Arafatit mund të jetë një pikë historike kthese për Lindjen e Mesme. Ai tha se përparimi do të varet nga fakti nëse udhëheqësit e rinj palestinezë do të zhvillojnë një luftë kundër grupeve ekstremiste palestineze.

Kryeminsitri britanik, Tony Blair, tha se zoti Arafat ishte simbol i lëvizjes palestineze, i cili punoi për paqen në Lindjen e Mesme dhe shtoi se çmimi Nobel per Paqen në vitin 1994 i është dhënë Yasser Arafatit bashkë me kryeministrin izraelit të asaj kohe, Yitzhak Rabin, në shënjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre drejt arritjes së paqes.

Presidenti kinez, Hu Jintao, tha se zoti Arafat ishte një mik i madh i Kinës dhe se vdekja e tij është një humbje e madhe për popullin palestinez.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkura, Kofi Annan, tha se zoti Arafat do të kujtohet gjithmonë për udhëheqjen e popullit palestinez drejt pranimit të bashkë-ekzistencës paqësore të një shteti të ardhshëm palestinez me Izraelin.

//ze//

XS
SM
MD
LG