Lidhje

Forcat amerikane dhe irakiane u afrohen bazave të kryengritësve në Faluxha - 2004-11-12


Forcat amerikane dhe irakiane po u afrohen bazave të fundit të rezistencës kryengritëse në Faluxha, ndërkohë që sipas njoftimeve, rreth 80 përqind e qytetit është nën kontrollin qeveritar.

Pas katër ditë luftimesh të ashpra dhe sulmesh ajrore, zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe irakianë thonë se janë vrarë rreth 600 kryengritës dhe dhjetra të tjerë janë plagosur. Sipas vlerësimeve të ushtarakëve, para ofensivës në qytet kishte 2 mijë deri në 3 mijë kryengritës.

Një gjeneral i lartë amerikan thotë se gjatë ofensivës janë vrarë gjithashtu 22 ushtarë amerikanë dhe 5 irakianë.

Trupat vazhdojnë të lëvizin në Faluxhën jugore duke kërkuar shtëpi më shtëpi për guerilje, armë dhe municione.

Ndërkohë në internet u vu në qarkullim një audiokasetë që thuhet se është e terroristit të kërkuar Abu Musab al-Zarqawi i cili po i inkurajon luftëtarët e tij të mos dorëzohen. Zyrtarët ushtarakë amerikanë besojnë se terroristi me origjinë jordaneze ka të ngjarë të jetë larguar nga Faluxha para ofensivës.

XS
SM
MD
LG