Lidhje

Robert Hand: zgjidhja e statusit politik të Kosovës do të kërkojë shumë përpjekje - 2004-11-14


Robert Hand, këshilltar pranë Komitetit Amerikan të Helsinkit, thotë se është shumë herët të thuhet se çfarë zgjidhje do të gjendet për Kosovën. Por ai bën thirrje për më tepër dialog dhe për arritjen në një situatë ku mosmarrëveshjet të jenë më të vogla. Zoti Hand u intervistua nga shërbimi në gjuhën serbe i Zërit të Amerikës.

Zoti Hand thotë se kapërcimi i pozitave të kundërta midis Beogradit dhe Prishtinës lidhur me statusin politik të Kosovës do të kërkojë kohë dhe përpjekje të mëdha.

”Nga pala shqiptare, thotë zoti Hand, do kërkohet që të përmbushen standardet pavarësisht nga statusi. Kjo nuk do të thotë se standardet duhet të përmbushen plotësisht në vitin 2005 por është e qartë se ato nuk janë përmbushur ende dhe duhet të bëhet progres.”

Nga pala serbe, shton zoti Hand, do të dëshiroja të shoh se çfarë mendojnë pikësëpari serbët e Kosovës rreth këtyre çështjeve në vend që t’i drejtohen Beogradit.

Pyetjes nëse duhet apo jo të respektohet nga të gjitha palët rezoluta 12-44 e OKB-së, e cila parashikon mos cënimin e sovranitetit të Serbisë, zoti Hand i përgjigjet se kjo rezolutë duhet të respektohet nga të gjitha palët por çështja kryesore është se si të interpretohet ajo jo vetëm nga palët në rajon por edhe nga komuniteti ndërkombëtar përfshirë Këshillin e Sigurimit.

”Mendoj se është shumë herët të thuhet se çfarë zgjidhje do të gjendet për Kosovën. Ne duhet të ecim përpara me më tepër dialog, përmirësimin e stadardeve në Kosovë, dhe të arrijmë një situatë ku mosmarrëveshjet të jenë më të vogla se sa janë tani.”

Nëse njëra nga palët nuk është e kënaqur me rezultatin e procesit të dialogut, thotë zoti Hand, atëherë ajo mund të kërkojë mënyra të ndryshme për të bërë ankesë. Por duke ditur fuqinë që ka rezoluta 1244 e miratuar nga Këshilli i Sigurimit mendoj se do të ketë përpjekje të mëdha që ajo të jetë e suksesshme por më e rëndësishmja për momentin është që të punohet për kapërcimin e diferencave që ekzistojnë tani midis palëve, në mënyrë që ankesa të mos jetë fare e nevojshme.

Por ku duhet t’i drejtojë sytë më shumë Unioni Serbi Mali i Zi, nga Brukseli dhe Bashkimi Evropian apo nga Shtetet e Bashkuara, në kushtet kur Amerika është e zënë me Lindjen e Mesme? Zoti Hand shpjegon.

”Unë do të thoja se Unioni Serbi-Mal i Zi do të duhej të përqëndrohej më tepër tek Brukseli thjesht për faktin se aty edhe është e ardhmja e këtij vendi. Të dy këto entitete janë pjesë e Evropës dhe duhet ti bashkohen asaj dhe kjo do të thotë se pikësëpari duhet të punojnë me Brukselin.”

Megjithatë nuk do të thoja se meqënëse Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në një pjesë tjetër të botës, nuk po tregojnë vëmendjen e duhur për rajonin e Ballkanit.

Siç e pamë edhe tek një iniciativë të vogël që ishte shembulli i njohjes së Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, ky gjest mund të ketë një ndikim të madh në juglindje të Evropës.

Dhe përsa i përket çështjes së Kosovës, thotë zoti Robert Hand, nuk do të ishte veprim i mençur nga ana e Beogradit që të zgjedhë në mes të Brukselit apo Washingtonit. Serbia dhe Mali i Zi,duhet të punojnë me të dyja palët. Për shumë çështje siç është për shembull ajo e gjykatës së Hagës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë të njëjtin qëndrim.

XS
SM
MD
LG