Lidhje

Sulme të reja të forcave irakiane dhe amerikane në Irak - 2004-11-15


Forcat amerikane dhe irakiane kanë ndërmarrë sulme të reja në përpjekjet e fundit për të futur nën kontroll Faluxhën, ndërkohë që vazhdojnë luftimet edhe gjetkë në vend. Komandantët ushtarakë amerikanë në Faluxha thonë se kryengritësit që vazhdojnë rezistencën në qytet do të vriten.

Zyrtarët amerikanë thanë se të paktën 38 trupa amerikane, 6 ushtarë irakianë dhe rreth 1 mijë e 200 kreyngritës janë vrarë që kur filloi operacioni ushtarak në Faluxha 8 ditë më parë. Ata thanë se 275 ushtarë dhe marinsa amerikanë janë plagosur. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur numrin e viktimave civile.

Ndërkaq, zyrtarët amerikanë thonë se të paktën 20 kryengritës u vranë sot në Bakuba, pasi sulmuan një stacion policie dhe një autokolonë të trupave amerikane. Të paktën 4 ushtarë amerikanë u plagosën. Ushtria amerikane njoftoi se më vonë aeroplanët amerikanë hodhën 2 bomba prej 226 kilogramësh mbi kryengritësit në Bakuba, të cilët mbërritën sot më herët në qytet me autobusë.

Ndërkohë Papa Gjon Pali i Dytë i bëri thirrje qeverisë së Irakut që të zhvillojë zgjedhje të drejta dhe demokratike dhe të ndjekë një politikë të përdorimit të forcës vetëm si alternativa e fundit për zgjidhjen e konflikteve.

Papa 84 vjeçar e bëri këtë thirrje sot kur priti ambasadorin e ri të Irakut në Vatikan, Albert Edward Ismail Yelda. Papa, i cili ishte kundër luftës në Irak, shprehu shqetësim për lirinë fetare ndërsa Iraku rindërtohet, si dhe shqetësim për viktimat e terrorizmit dhe të dhunës.

XS
SM
MD
LG