Lidhje

Hagë: Fillon procesi ndaj tre ish-anëtarëve të UÇK-së - 2004-11-15


Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Hagë filloi procesin ndaj tre shqiptarëve nga Kosova të akuzuar për vrasje, tortura dhe vepra çnjerëzore kundër civilëve në Kosovë në vitin 1998.

Prokurorët thonë se tre ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë në një kamp burgimi në Llapushnik të Kosovës lindore. Ish komandanti i kampit, Fatmir Limaj, akuzohet se dha urdhër për ekzekutimin e 10 të burgosurve të kampit.

Një nga dy vartësit e tij, Haradin Bala akuzohet për zbatimin e këtyre urdhërave. Ndërsa personi i tretë në gjyq, Isak Musliu, është një ish roje burgu. Tre burrat, të cilët janë shqiptarët e parë që gjykohen në Hagë, përballen edhe me akuza për rrahje dhe torturim të vazhdueshëm të të burgosurve.

Të tre kanë deklaruar të jenë të pafajshëm. Deri tani, gjykata është përqendruar kryesisht mbi krimet që pretendohet të jenë kryer nga serbët gjatë konflikteve të viteve ’90 në ish-jugosllavi.

Ndërkohë, kroati i Bosnjës i dyshuar për krime lufte, Miroslav Bralo, e shtyu përsëri pranimin e fajëpsisë apo jo për akuzat e ngritura nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në Hagë. Në daljen e tij të parë sot para gjykatës, të dyshuarit, i cili u dorëzua të mërkurën, iu dha 30 ditë kohë për të konsideruar pranimin apo jo të fajësisë në lidhje me 21 akuza për vrasje, përdhunime, tortura dhe burgosje të paligjshme të civilëve.

Akt-akuza thotë se zoti Bralo i ka kryer këto krime si pjesëtar i një njësie speciale të kroatëve të Bosnjës. Ndërkohë, policia serbe e Bosnjës arrestoi 8 të dyshuar të kërkuar për krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve 1990. Këta ishin të dyshuarit e parë për krime lufte të arrestuar nga autoritetet serbe të Bosnjës. Dy nga të dyshuarit janë akuzuar për genocid, dhe gjashtë të tjerë për krime kundër robërve të luftës dhe civilëve.

XS
SM
MD
LG