Lidhje

Përfundojnë pa marrëveshje bisedimet mbi krijimin e institucioneve të reja në Kosovë - 2004-11-15


Vetëm një marrëveshje mund të thuhet se është arritur ndërmjet udhëheqësve politikë në Kosovë, pajtimi për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja në bazë të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 23 tetorit. As sot, pas takimeve maratonike të shefit të Misionit të Kombeve të Bshkuara Soren Jessen-Petersen me udhëheqësit politikë, nuk është arritur ndonjë marrëveshje se si mund të duket qeveria e ardhshme e Kosovës.

Presidenti i Kosovës dhe Kryetar i Lidhjes Demokratike, Ibrahim Rugova vetëm përsëriti gatishmërinë e tij për ndërtimin e shpejtë të institucioneve. “LDK-ja së shpejti do të dalë me qëndrim rreth këtyre gjërave dhe do t’I bëjmë me këhë institucionet e Kosovës pa vonesë”, tha presidenti Rugova.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që ishte i pari që u takua me zotin Jessen-Petersen, tha se takimi i sotëm ishte një shkëmbim mendimesh, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, tha se Kosovës i duhen institucione që garantojnë unitet, mirëkuptim dhe zbatim të suksesshëm të standardeve për Kosovën dhe posacërisht, që janë të gatshme për zgjidhjen e statusit politik të saj. Ai sërish mbështeti fuqishëm idenë për krijimin e institucioneve me bazë të gjerë politike dhe etnike. “Kosova nuk ka nevojë për regres, nuk ka nevojë për kaos, nuk ka nevojë për qeverisje që do të dështojë pas dy-tre muajsh, por institucione që I garantojnë efektivitet të plotë. Mendoj që qëndrimi I PDK-së përputhet me autoritetet e rëndësishme dhe vendimarrëse të qendrave diplomatike”, tha zoti Thaçi.

Veton Surroi, shef i nismës qytetare ORA tha se kryeadministratori i Kosovës duket se sërish është bërë bartësi kryesor i përpjekjeve për themelimin e qeverisë së Kosovës. “Me sa shoh unë ky është një proces I cili vetvetiu me veta faktin që edhe njëherë po fillon në zyrën e kryeadministratorit tregon për një stagnim në zhvillimin politik në Kosovë dhe me këtë tregon edhe një krizë latente dhje permanente në zhvillimet ndërmjet partive në Kosovë”, theksoi zoti Surroi.

Tre vjet më parë, partive politike në Kosovë ju deshën më se katër muaj që të merren vesh për ndarjen e pushtetit, prandaj sivjet janë bërë thirrje të vazhdueshme që të tejkalohen të gjitha vështirësitë dhe të mos përsëritet e kaluara. Thirrje të tilla sot janë përsëritur edhe nga përfaqësuesit e pesë vendeve më me ndikim në Kosovë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë në Madhe, Gjermanisë, Francës e Italisë, të cilët thonë se do të pranojnë çdo marrëveshje e cila do të çonte ne krjimin e një qeverie që do të jetë bartëse e punës për zbatimin e standardeve, përmbushja e të cilave do të hapë rrugën për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG