Lidhje

Kosova pas zgjedhjeve - 2004-11-15


Zgjedhjet e 23 tetorit në Kosovë, të cilat u konsideruan gjerësisht të lira dhe të drejta, sinjalizuan një hap përpara në drejtim të zgjidhjes së statusit të saj politik. Dhe tashmë duket se statusi nuk është më një luks apo thjesht një objekt diskutimesh akademike.

Shumica e analistëve tashmë janë dakord me një gjë: se paqartësitë rreth së ardhmes politike të Kosovës janë bërë pengesë e dukshme për zhvillimin e saj.

Dhe shembulli më i thjeshtë është ky: kur udhëton nga Tirana për në Prishtinë, njeriu impresionohet nga gjallëria e biznesit në Shqipëri, që ka lidhje me vetë natyrën e shqiptarëve, por kur hyn në Kosovë, gjendja është ndryshe. Analisti i Ballkanit, Barry Wood, është një prej atyre që e ka bërë një udhëtim të tillë:

“Kur hyn në Kosovë, nuk shikon asgjë, përveç disa stacioneve të benzinës. Në thelb, atje ka një papunësi shumë të lartë, mëse 50 përqind. Nuk ka investime dhe ekonomia është në stagnacion”, thotë zoti Wood.

“Por nëse bihet dakord për statusin, nëse Kosova bëhet për shembull shtet i pavarur, a nuk do të krijonte kjo sigurinë dhe parashikueshmërinë për të cilën kanë nevojë investitorët që ta bëjnë ekonominë kosovare si ekonominë e Shqipërisë, sidomos si ajo që shihet në Tiranë?”, shtron pyetjen analisti.

Tani që zgjedhjet mbaruan, detyra e parë është caktimi i atyre që do të përfaqësojnë Prishtinën në bisedimet e ardhëshme me Beogradin për statusin.

Por vështirësia më e madhe është arritja e një konsensusi brenda Bashkimit Evropian për ato gjëra që ata do të jenë gati të pranojnë për Kosovën, sepse disa qeveri në Evropë nuk e mbështesin idenë e pavarësisë.

“Pas kësaj do të duhet të gjendet një pozicion i përbashkët evropian i shkrirë me një pozicion të Shteteve të Bashkuara, sepse amerikanët janë një faktor i rëndësishëm në këtë çështje. Pastaj, do të kërkohej arritja e një marrëveshjeje që të ishte e pranueshme nga popullata në Kosovë, me garanci për të drejtat e pakicave e kështu me radhë, dhe që njëkohësisht të ishte e pranueshme për Beogradin. Ky është një problem shumë i vështirë, por mendoj se do të zgjidhet”, shprehet zoti Wood.

Në vitin 2005, ka shumë mundësi që rishikimi i standardeve nga aktorët kryesorë të komunitetit ndërkombëtar të rezultojë në përcaktimin e disa parimeve bazë që do të çonin drejt zgjidhjes së statusit. Dhe kjo është shumë larg pavarësisë për të cilën flasin shumica e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës.

Megjithëse shqiptarët e Kosovës janë shumë proamerikanë, një ndër vështirësitë pa dyshim mbetet fakti se amerikanët i kanë duart të zëna me Lindjen e Mesme. Por prania ushtarake amerikane në Kosovë në suazën e Natos duket se do të vazhdojë.

Ajo që mund të ndodhë gjatë vitit në vazhdim është që si evropianët edhe amerikanët të mund të caktojnë përfaqësuesit e tyre për t’u marrë me zgjidhjen e këtij problemi të vështirë. Sidoqoftë, nuk ka dyshim se atmosfera e qetë në të cilën u zhvilluan zgjedhjet e 23 tetorit, ishte një hap që do ta lehtësojë këtë proces.

XS
SM
MD
LG