Lidhje

Qendra presidenciale për nder të ish-presidentit Clinton, gati për t’u hapur të enjten - 2004-11-15


Të enjten në Little Rock të Arkansasë përurohet biblioteka për nder të ish-Presidentit Bill Clinton, në hapjen e së cilës do të marrin pjesë figura nga të dyja skajet e spektrit politik që nga presidenti George Bush, e deri tek ylli irlandez i rock-ut, Bono.

“Doja që të ishte e mrekullueshme, të ishte një ndërtesë, ku njerëzit nga e gjithë bota të jenë krenarë ta vizitojnë, jo vetëm sot, por edhe pas 100 vjetësh”, tha ish-Presidenti Clinton.

Qendra Presidenciale William J. Clinton, me cilësimin metaforik “urë drejt shekullit 21”, ngrihet mbi lumin Arkansa dhe përurimi i saj do të shoqërohet nga një javë programesh, ekspozitash dhe simpoziumesh.

Gjatë javës do të ketë një koncert të Areta Franklinit, një diskutim shkencor nga astronauti dhe ish-Senatori Demokrat John Glenn, si edhe do të përurohen skulptura të reja në bregun e lumit dhe në aeroport.

Të enjten në mëngjes, në ceremoninë më të rëndësishme të javës do të flasin Presidenti Clinton, gruaja e tij, senatorja Hillary Rodham Clinton, Presidenti Bush, ish-Presidenti Bush dhe ish Presidenti Jimmy Carter. Rreth 30 mijë vetë pritet të marrin pjesë.

Qendra prej qelqi dhe çeliku 13 mijë e 935 metra katrorë, u krijua nga arkitekti James Polshek.Ishte premtuar që e gjithë trashgimia e tij, edhe pjesët e jetës që ndoshta ai nuk do t’i kujtojë do të jenë të ekspozuara.

XS
SM
MD
LG