Lidhje

Filmi ”Lule të kuqe, lule të zeza" në New York - 2004-11-15


Mbrëmë, në një nga kinematë e New Yorkut u shfaq filmi shqiptar ”Black Flowers”- në shqip ”Lule të kuqe, lule të zeza”, në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur. Autorët e filmit janë: regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj dhe bashkëshortja e tij, shkrimtarja Natasha Lako, e cila është skenariste e filmit. Zëri i Amerikës intervistoi nga studio e New Yorkut, për programin televiziv ”Ditari”, regjisorin e filmit, Mevlan Shanaj.

Zëri i Amerikës: Si arriti të zgjidhej filmi juaj për të marrë pjesë në Festivalin e Filmit Independent?

Mevlan Shanaj: Po është një rrugë normale e festivalit: sipas rregullit që ka, paraqit secili nga konkurrentët veten, bëhet seleksionimi, dhe andej, në datën e caktuar, -ky festival ishte nga data 11 deri më 21 nëntor, - filmi ”Black Flowers”, është shfaqur mbrëmë në New York. Ishte në një seancë shumë të mirë, të dielën në orën 8 të mbrëmjes. Them se rasti i ardhjes sime këtu është, sigurisht, një kënaqësi për mua, por unë them se ishte edhe një sukses i filmit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Cila është tematika e filmit ”Lule të kuqe, lule të zeza”?

Mevlan Shanaj: Filmi e fokuson ngjarjen pas vitit ’97. Është një film që merr shkas pikërisht, në se do të thoja në mënyrë pak të figurshme, pas atij Holokausti që ndodhi, unë do të thoja në psiqikën, në shpirtin e shoqërisë shqiptare; ndodhën edhe shumë ikje, shumë lëvizje, abandonime të zonave, ose tronditje të familjes dhe pikërisht kjo është fabula dhe ky bëhet objekt i filmit. Në trajtimin e këtij filmi, unë them se është pasur parasysh pikërisht kjo marrëdhënie e brendshme e patrajtuar deri më sot, është një lloj eksplorimi në gjuhën e kinemasë, sepse duhet të pranojmë që filmat tanë të suksesshëm janë realizuar për audiencën shqiptare, e cila në mënyrën e vet i ndjek ato; kanë qenë të trajtuara në një farë mënyre, duke mos e përjashtuar kohën që kemi kaluar, me një lloj moralizimi, ndërsa tashmë kinematografia shqiptare po mbijeton. Ka tashmë shembuj të prodhimeve të fundit, edhe pse shumë shumë të vështira për t’u realizuar, por është një kënaqësi të pranojmë se kanë qenë të suksesshme, kanë mbijetuar kineastët shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Në kushtet e ekonomisë së tregut, që nxit iniciativën private edhe në art, mund të kujtoj këtu shembullin Hollivudit, çfarë hapësirash u ka hapur kjo krijuesve shqiptarë në fushën e kinematografisë?

Mevlan Shanaj: Jemi shumë larg, Laura, faleminderit që shkojmë deri tek Hollivudi, por jemi shumë larg, për të thënë në mendësinë e shoqërisë shqiptare. Shoqëria shqiptare, tashmë në këtë tranzicion të tejzgjatur, unë mendoj se po përjeton një krizë të madhe për të mbërritur deri në nivele të tilla, por gjithësesi, krijuesit po gjejnë mënyrën për të mbijetuar; por kryesorja është që kjo mbijetesë e tyre duhet të shkojë paralelisht deri në tranformimin e psikologjisë të krejt infrastrukturës psiqike dhe shpirtërore të shoqërisë.

Zëri i Amerikës: Si mund të realizohet një film dhe sa e vështirë është të arrihet në Shqipëri kjo sot?

Mevla Shanaj: Është shumë e vështirë, prodhimet kanë rezistuar dhe ka prodhime, do të thoja një deri në dy filma. Është shumë e vështirë, por gjithësesi, Qendra Kombëtare Kinematografike, e cila mbahet me buxhetin e shtetit, ka një përqindje të mirë, që e mbështet filmin shqiptar, 30 për qind, ose edhe diçka sipas mundësirave specifike; por gjithësesi, mendoj se ende ne kemi vështirësi për të mbërritur tek realizimi dhe këtu mund të jetë për mendimin tim diçka në konceptin e njerëzve, ose administrata duhet të lëvizë më shumë. Por kjo do të shkojë paralelisht dhe me ndryshimin e psikologjisë së shoqërisë shqiptare. Kur thatë ju për zhvillim në Hollivud, ishin biznesmenët ata që e kapën këtë dhe që ditën ta krijojnë. Ky investim që duhet bërë nga biznesmenët shqiptarë, tashmë më duket se është shumë herët, më duket se nuk ka hyrë koncepti për të investuar tek filmi.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka patur një plejadë aktorësh të mirënjohur në artin kinematografik, si Naim Frashëri, Prokop Mima, Sandër Prosi, e të tjerë të brezit tuaj, që me rolet e tyre kanë lënë një trashëgimi të pasur. Si po veprohet sot për vazhdimin e kësaj trashëgimie, pra për përgatijen e aktorëve të rinj?

Mevlan Shanaj: Për ta bërë këtë krahasim unë e kam të vështirë; megjithëse Instituti i Arteve vazhdon të ketë kontinuitetin e vazhdimit të brezit të ri; por ky brez më duket se e ka pak të vështirë, aq më tepër po mendoj jo vetëm për aktorë, por edhe për regjizorë, sepse po nuk pati prodhim, po nuk pati aktivizim, kalojnë vite dhe ata e kanë pak të vështirë. Nuk mund të thuhet se është e prerë, por vërtet ka vështirësi.

XS
SM
MD
LG