Lidhje

Presidenti Bush emëron Condoleeza Rice në postin e Sekretarit të Shtetit - 2004-11-15


Presidenti Bush zgjodhi një person tjetër të besuar për të zënë një nga postet më të rëndësishme të kabinetit të tij në mandatin e dytë presidencial.

Pas emërimit të këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë Alberto Gonzales në krye të Departamentit të Drejtësisë, zoti Bush caktoi këshilltaren e tij më të besuar për politikën e jashtme për të drejtuar Departamentin e Shtetit.

“Të gjithë amerikanët dhe pjesa më e madhe e botës e njohin Condi Rice. Gjatë katër viteve të kaluara, unë jam mbështetur në këshillat e saj, kam përfituar nga përvoja e saj e gjerë dhe e kam vlerësuar gjykimin e saj të fortë. Dhe tani ndjehem i nderuar që ajo pranoi të bëhet anëtare e kabinetit tim. Sekretari i Shtetit është fytyra e Amerikës në botë dhe tek Dr. Rice, bota do të shohë forcën, hijeshinë dhe mirësinë e vendit tonë”.

Nëse emërimi i saj miratohet nga Senati, zonja Rice do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane në postin e Sekretarit të Shtetit. Ajo do të zëvendësojë sekretarin e tanishëm Colin Powellin, që ia kishte bërë të qartë që para disa muajsh Presidentit Bush se nuk do të qëndronte në detyrë për një mandat të dytë.

Ndërkohë që Sekretari Powell shihet në përgjithësi me respekt në botë dhe është më i pëlqyer se Presidenti Bush mes amerikanëve, ai ka patur shpesh qëndrime të ndryshme nga Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni, pas ndërhyrjes në Irak dhe lidhur me përpjekjet për ndërprerjen e programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Por qëndrimi më i moderuar i sekretarit Powell në përgjithësi sikur u zbeh mes pikëpamjeve më agresive të ndjekura në botë nga nënpresidenti Dick Cheney dhe sekretari i mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Zgjedhja nga presidenti e zonjës Rice në postin e sekretarit të shtetit dhe zotit Gondalez në postin e Prokurorit të Përgjithshëm i vë zyrtarët besnikë të Shtëpisë së Bardhë në krye të dy institucioneve më të rëndësishme të Washingtonit, duke e pakësuar mundësinë e zërave kundërshtarë në kabinetin e presidentit Bush.

Duke njoftuar vendimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, presidenti tha se zonja Rice e mer këtë detyrë në një kohë kritike për vendin, ndërkohë që vazhdon lufta kundër terrorizmit.

Përveç fitores së kësaj lufte, presidenti Bush tha se objektivat e politikës së jashtme për një mandat të dytë përfshijnë ndihmën për forcat e reformës e të lirisë në Lindjen e Mesme dhe kundërshtimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Zonja Rice tha se mezi pret të ndjekë atë që ajo e cilësoi “politikë ambicioze të presidentit.”

“E kam për nder të më kërkohet përsëri t’i shërbej administratës tuaj dhe vendit tim. Dhe e kam për shumë nder që ta imagjinoj të jem pasardhëse e mikut tim të dashur dhe këshilltarit besnik, Colin Powell. Ai është një prej zyrtarëve më të nderuar në shërbim të popullit që ky vend ka krijuar ndonjëherë.”

Ndonëse pritet të sigurojë konfirmimin në senat, zonja Rice do të ndeshet me pyetje nga demokratët në Kongres rreth informacioneve të zbulimit që u shfrytëzuan për të justifikuar luftën në Irak.

Shumica e këtij informacioni mbi armët e shkatërrimit në masë të Irakut doli e pavërtetë, ashtu siç ishte edhe një koment që bëri presidenti gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit në vitin 2002 mbi përpjekjet e Irakut për të blerë uranium nga Afrika.

Zëvendësi i zonjës Rice, Stephen Hadley, mori përgjegjësinë për përfshirjen e këtij komenti në fjalimin e presidentit. Zoti Hadley tani u ngrit në detyrë si Këshilltar i presidentit për Sigurimin Kombëtar, një post që nuk ka nevojë për konfirmim nga senati.

Zonja Rice u bashkua me ekipin elektoral të presidentit Bush në vitin 2000 si këshilltare e lartë për politikën e jashtme. Para saj ajo kishte qënë një prej drejtuesve të Universitetit të Standfordit në Kaliforni për 6 vjet ku mbikqyrte një buxhet prej 1 miliardë e 500 milionë dollarësh.

Ajo ka dhënë shkenca politike në universitetin e Stanfordit që nga viti 1981 kur shkroi për ribashkimin e Gjermanisë dhe rënien e Bashkimit Sovjetik.

Në përfundim të Luftës së Ftohtë, zonja Rice, që flet vetë rusisht, shërbeu për dy vjet si specialiste për Rusinë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të presidentit të parë Bush.

Ajo është diplomuar nga universiteti i Denverit në vitin 1974, gradën e parë shkencore, në vitin 1975 në universitetin e Notre Damit dhe doktoraturën epërfundoi në vitin 1981 në universitetin e Denverit.

Zonja Rice ka lindur në Alabama më 1954. Ajo është patinatore dhe pianiste virtuoze. Nuk është e martuar dhe thotë se endërron që një ditë të jetë komisionerja e ligës profesioniste të futbollit amerikan.

Presidenti Bush thotë se ai nuk mund ta ndihmojë me atë punë, por ai është i kënaqur që ajo i ka pezulluar përkohësisht këto plane për t’i shërbyer vendit.

XS
SM
MD
LG