Lidhje

Kosovë: Vazhdojnë bisedimet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve - 2004-11-16


Në Kosovë, partitë kryesore politike po vazhdojnë bisedimet për formimin e institucioneve të reja të vendit, ndërkohë që dy prej tyre, Lidhja Demokratike e presidentit Ibrahim Rugova dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, ngulin këmbë për krijimin e një koalicioni qeveritar të bazuar në formulën pozitë-opozitë. Partia Demokratike e Hashim Thaçit, preferon një koalicion me bazë të gjerë politike dhe etnike.

Kjo javë pritet të jetë java përfundimtare gjatë së cilës në Kosovë pritet të finalizohet koalicioni i ri qeveritar që do të qeverisë Kosovën në periudhën më të rëndësishme për të që nga hyrja e forcave të NATO-s në vitin 1999.

Partitë kryesore që fituan shumicën e votave në zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 tetorit, po vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë së re, ndërkohë që dy prej tyre janë të të njëjtit mendim se Kosova ka nevojë për një pozitë të fuqishme dhe opozitë të fuqishme. Lidhja Demokratike e presidentit ibrahim Rugova, thotë se deri nga fundi i kësaj jave, do të përfundojnë bisedimet për qeverinë e re.

Zëdhënësi i kësaj partie, Lulzim Zeneli, i tha Zërit të Amerikës, se pozicioni i LDK-së do të bëhet i qartë shumë shpejtë dhe se formula e qeverisjes për këtë parti mbetet absolutisht ajo pozitë-opozitë.

Zoti Zeneli pohoi se ka kontakte midis LDK-së dhe AAK-së bisedime që ai i quajti pjesë të procesit, ndërkohë që shtoi se LDK po zhvillon bisedime me shumë parti politike. Partia Demokratike e kryesuar nga Hashim Thaci vazhdon të mbështesë krijimin e një qeverie me bazë të gjerë politike dhe etnike.

Zëdhënësja e kësaj partie Vlora Citaku, pohon se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje konkrete. Zonja Citaku thotë se përfundimi i bisedimeve për qeverinë e re pritet nga mesi i javës së ardhshme.

AAK-ja e kryesuar nga Ramush Haradinaj, mbështet qëndrimin e LDK-së që Kosova të ketë pozitë dhe opozitë ndërkohë që thekson se Ramush Haradinaj mbetet kandidat për postin e kryeministrit.

Zëdhënësi i kësaj partie, Ernest Luma, thotë se partia tij mbështet një koalicion që do të krijonte një qeveri të qëndrueshme me një opozitë të fuqishme. Zoti Luma kërkon që faktori ndërkombëtar të ketë mirëkuptim për maturinë e partive politike në Kosovë në negociatat për formimin e qeverisë së re, duke shtuar se faktori ndërkombëtar tani duhet të jetë më shumë vëzhgues dhe konsultues.

XS
SM
MD
LG