Lidhje

SHBA: Bie numri i studentëve të huaj të regjistruar në universitetet amerikane - 2004-11-16


Sipas një raporti të Institutit për Arsimim Ndërkombëtar, numri i përgjithshëm i studentëve të huaj të regjistruar në kolegjet dhe universitetet amerikane ka rënë - hera e parë kjo në 30 vjet - ndërkohë që vitin e kaluar numri i studentëve amerikanë në Lindjen e Mesme ishte 50 për qind më i vogël. Korrespondentja jonë, Kerry Sheridan, njofton nga New Yorku.

Instituti thotë se numri i studentëve të huaj në Shtetet e Bashkuara ra 2,4 për qind vitin akademik që përfundoi në qershor, pra në diçka më shumë se 572 mijë.

Të ardhurat kombëtare nga pagesat e studentëve të huaj në shkolla dhe nga shpenzimet e tyre të jetesës në Shtetet e Bashkuara shkojnë në më shumë se 13 miliardë dollarë në vit.

Në mënyrë të veçantë vihet re rënia e numrit të regjistrimeve të studentëve nga vende që zakonisht dërgojnë numrin më të madh të studentëve, si Kina, Japonia dhe Kanadaja. Disa vende të Lindjes së Mesme, si Jordania, Arabia Saudite dhe Kuvajti, kanë dërguar 15 për qind më pak studentë në Shtetet e Bashkuara. Është viti i katërt rresht që bie numri i studentëve nga ky rajon.

Raporti i institutit shënon rënien e parë të përgjithshme të studentëve të huaj në Shtetet e Bashkaura gjatë tri dekadave. Drejtori i institutit, Allan Godman, thotë se shpreson që kjo të mos kthehet në prirje.

“Që nga 11 shtatori, ka qenë më e vështirë nxjerrja e vizave për studim për në çdo vend tjetër dhe jo vetëm për në Shtetet e Bashkuara. Studentë nga Lindja e Mesme mund të kenë gjithashtu përshtypjen se nuk janë të mirëpritur në Amerikë, por nuk është e vërtetë. Shumë nga drejtuesit e universiteteve dhe të mjediseve studentore u kanë bërë posaçërisht thirrje studentëve nga shoqëritë myslimane të vijnë të studiojnë”.

Instituti për Arsim Ndërkombëtar nxit shkëmbimet ndërkombëtare, si dhe administron programin e bursave Fulbright të qeverisë amerikane. Nga ana tjetër, një numër amerikanësh që studiojnë në Lindjen e Mesme pësoi një rënie drastike prej 51 përqindësh. Ky numër ra më shumë në Izrael.

Numri i studentëve amerikanë që shkojnë në Izrael ra me dy të tretat në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, numri i regjistrimeve të studentëve amerikanë në kolegjet turke u rrit me 77 për qind, ndërkohë që 26 për qind më shumë amerikanë zgjodhën për të studiuar në Egjipt.

Megjithatë, shumë më tepër studentë të huaj vijnë në Shtetet e Bashkuara, se sa studentë amerikanë shkojnë të studiojnë jashtë shtetit. Diçka më shumë se një mijë studentë amerikanë u regjistruan në universitetet e Lindjes së Mesme vitin e kaluar. Gati 20 mijë studentë nga Lindja e Mesme ndoqën kurse universitare në Shtetet e Bashkuara. Zoti Godman thotë se studiuesit kanë të drejtë të jenë të shqetësuar.

“Është tepër e rëndësishme që pikërisht tani studentë e studiues të udhëtojnë, të njihen me njëri-tjetrin, dhe jo vetëm përmes internetit. Kontaktet e drejtpërdrejta i bëjnë më njerëzore marrëdhëniet ndërkombëtare dhe krijojnë një kapital të madh paqeje dhe miqësie për të ardhmen”.

Gjithsej, numri i amerikanëve që studiojnë jashtë i rrit vitin e kaluar 8,5 për qind duke kapur shifrën e 175 mijëve. Sipas raportit, shumica e studentëve amerikanë zgjodhën vende evropiane dhe qendrojnë atje për periudha më të shkurtëra se sa vitet e mëparshme.

XS
SM
MD
LG