Lidhje

Irak: vazhdojnë trazirat në Trekëndëshin Suni - 2004-11-17


Në Irak vazhdojnë sot trazirat në të ashtuquajturin Trekëndëshi Sunni ndërkohë që kryengritësit reaguan ndaj fushatës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për t’i goditur ata në Faluxha. Në Ramadi, zyrtarët e spitaleve thonë se 9 vetë u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën. Ndërsa në Faluxha, avionët amerikanë ndërmorrën më shumë sulme ajrore kundër kryengritësve, që vazhdojnë të bëjnë qëndresë në disa pjesë të qytetit.

Ndërsa në veri, në qytetin Baiji nga shpërthimi i një makine bombë afër një autokolone ushtarake amerikane u vranë të paktën 14 veta. Tre ushtarë amerikanë ishim mes mbi 10 të plagosurve. Dhe në qytetin e Mosulit, gjendja ishte sot më e qetë pas disa ditë përleshjesh, ndërkohë që forcat amerikane dhe ato irakiane rimorën stacione policie, që ishin futur nën kontrollin e kryengritësve gjatë javës së kaluar. Gjetkë në Irak, trupat britanike, që janë dislokuar në jug të Bagdatit, u vunë në shënjestër të 2 sulmeve me bomba. Një ushtar u plagos, ndërkohë që 2 turq, shoferë kamjonësh, u gjetën të vrarë përgjatë një autostrade midis Baladit dhe Samaras.

Ndërkohë, ambasadorët e NATO-s kanë miratuar një plan për të dërguar qindra instruktorë dhe personel tjetër në Irak për të stërvitur oficerë irakianë. Ekspertët ushtarakë të NATO-s e miratuan këtë mision javën e kaluar.

Në bazë të planit, NATO do të dërgojë 300 instruktorë si dhe personel sigurimi në akademinë ushtarake në periferi të Bagdatit. Komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali amerikan, James Jones, tha në një intervistë për gazetën Financial Times në fillim të javës se 10 vende aleate refuzojnë të dërgojnë forca në Irak. Ai nuk përmendi emrat e këtyre vendeve. Ai tha se refuzimi i këtyre vendeve mund të kërcënojë vazhdimin e misionit ushtarak. Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë dhe diplomatikë thanë se ushtarakët e lartë të NATO-s zgjodhën gjeneralin kanadez, Ray Henault për të kryesuar komisionin ushtarak të aleancës.

XS
SM
MD
LG